Arbëri

Shihet potencial destabilizimi, por jo në përmasa lufte

Paralajmërimet e NATO-s për rrezikun e rikthimit të tensioneve në Kosovë janë reale dhe bazohen në zhvillimet në rajon, kanë thënë njohës të sigurisë. Megjithëse nuk e shohin të mundur përshkallëzimin drejt një konflikti më të gjerë, ata nuk kanë përjashtuar mundësinë që Serbia të tentojë që përmes strukturave të saj të shkaktojë incidente. Megjithëkëtë, kanë thënë se nuk ka potencial për destabilizim në përmasë lufte

Potenciali për tensione e destabilizim në Kosovë mbetet real, kanë thënë të shtunën njohës të sigurisë, pas paralajmërimit që dha një ditë më parë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoletenberg.

Udhëheqësi i aleancës veriatlantike e ka vlerësuar si shumë të brishtë situatën e sigurisë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, dhe ka shprehur gatishmërinë për shtimin e mëtutjeshëm të pranisë së NATO-s.

Ligjëruesi për siguri, Fatmir Çollaku, ka përjashtuar mundësinë që tensionet të përshkallëzojnë në luftë, por ka thënë se ka rrezik nga sulme sikur ai në Banjskë.

“Përpjekje për ta destabilizuar Kosovën ka pasur në vazhdimësi dhe mund të ketë në kuptimin e organizimit të ndonjë sulmi të ngjashëm siç ishte më 24 shtator, por përpjekje për atakim serioz në një front më të gjerë në kuptimin e ndonjë agresioni ose lufte, nuk e shoh si mundësi. Epilogu i 24 shtatorit për Serbinë ishte një goditje e rëndë të cilën Serbia dhe Vuçiqi në këtë rast nuk mund ta përballojnë lehtë, andaj përpjekjet do të jenë të intensifikuara në kuptimin e ndonjë kundërpërgjigje apo një sulmi tjetër në njëfarë mënyrë për t’u hakmarrë për dështimin që kishte Serbia në rastin e 24 shtatorit”, ka thënë Çollaku.

Ai ka theksuar se jo vetëm në dimensionin e reflektimit dhe efektit të 24 shtatorit, por në përgjithësi janë skenarë të ndryshëm që në vazhdimësi kanë qëllim atakimin e sigurisë nacionale përmes grupeve terroriste, strukturave paralele dhe mekanizmave tjerë të Serbisë.

“Por, në esencë nuk do të kenë sukses, sepse tani sistemi i sigurisë në Kosovë është më i konsoliduar. Ajo që është me rëndësishme, bashkësia ndërkombëtare është më syçelë për ngjarjet që ndodhën dhe në përgjithësi tendencat e pretendimet territoriale të Serbisë të cilat në esencë kanë për qëllim aneksimin e veriut”, ka thënë ky njohës i sigurisë.

Gjatë një konferencë shtypi të premten në Bruksel, bashkë me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, sekretari Jens Stoltenberg e ka përsëritur gatishmërinë e NATO-s për garantimin e stabilitetit dhe paqes në të dyja vendet.

Ai e ka quajtur të papranueshme dhunën e vitit të shkuar në Kosovë, kur në fundshtator një grup i armatosur serb ka sulmuar Policinë në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Dhe kjo ka çuar në vendimin e komandantëve tanë ushtarakë për ta rifuqizuar misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, me 1 mijë trupa shtesë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenbergu ka theksuar se NATO-ja në vazhdimësi po e bën vlerësimin e situatës, teksa ka shprehur gatishmërinë për shtimin e mëtutjeshëm të pranisë në Kosovë.

Rritjen e numrit të ushtarëve të saj në kuadër të KFOR-it e ka ngritur si mundësi edhe kryeministri i Malit të Zi, shtet ky anëtar i NATO-s që nga viti 2017.

Pas sulmin në Banjskë, autoritetet kosovare fajësuar shtetin e Serbisë. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, subjekt ky që mbështetet nga Beogradi zyrtar.

E cenimin e sigurisë në rajon, Fatmir Çollaku e ndërlidh edhe me ndryshimet eventuale në administratën e Shteteve të Bashkuara.

“Në qoftë se vjen në postin e presidentit Trumpi, është një rrezik i madh i tërheqjes së trupave amerikane nga Evropa dhe kjo do të ishte rrethana më e pafavorshme për Ballkanin dhe për Kosovë, sepse përderisa është kjo politikë dhe koncept i institucionalizuar në Kosovë e Ballkan në kuptimin e ruajtjes së kufijve të Kosovës përmes misionit të KFOR-it, përmes bashkëpunimit të ngushtë me sistemin e sigurisë, nuk ka rrezik”, ka theksuar ai.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për gazetën holandeze “Trouë”, ka theksuar se po të mos ishte NATO-ja, Serbia do të tentonte ta pushtojë sërish Kosovën. Këtë e ka mbështetur me faktin se Serbia ka 48 baza ushtarake rreth kufirit me Kosovën.

“Ajo që më bën optimist për të ardhmen është se në rajonin tonë nuk ekziston më ai lloj nacionalizmi mes njerëzve që drejton makinën e luftës së diktatorit”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Duke folur për problemet me të cilat ballafaqohet Kosova në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Kurti përmendi sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë ku u sekuestruan pajisje ushtarake dhe municione me vlerë mbi 5 milionë euro.

“Sigurisht që është e pamundur që qytetarët e thjeshtë të mbajnë përgjegjësi për këtë. Ky ishte shteti i Serbisë, duke përdorur një grup paraushtarak të udhëhequr nga një kriminel. Me (Milan) Radoiçiqin të cilin këtu e njohim prej kohësh, ku ndër tjera merret me kërcënime, kontrabandë dhe zhvatje. Organizatat kriminale përdorin pozicionin politik të Serbisë si mbulesë për krimet e tyre”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se Serbia ka nevojë për një lider demokratik e të guximshëm që distancohet nga Millosheviçi dhe Putini. Deri atëherë, Kurti ka thënë se është skeptik se mund të ketë normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.