Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, e ka quajtur absurde dhe të kotë seancën e jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë, të ftuar nga opozita.
Seanca, që mbahet të martën dhe ku pritet të votohet për një rezolutë kundër negocimit për territore me Serbinë, sipas Stavilecit, nuk paraqet as temë fare.
Ai në Express Intervistën në KTV ka thënë se opozita, deshi apo jo, me këtë seancë po e legjitimon një temë si ndarja e Kosovës. Sipas tij, opozita po e shfrytëzon për vota këtë temë.
“Ata s’kanë prezantuar asnjë platformë, as s’i janë përgjigjur ftesave për tryeza dhe e treta kur kanë ftuar tryeza, kishin qëllim të caktojnë datën e zgjedhjeve. Fatkeqësisht, këto parti politike po e legjitimojnë një temë kaq të rrezikshme siç është ndarja, edhe pse besoj që nuk e kanë dëshirë, por ashtu po duket. Po e bëjnë vetëm me qëllimin që të vendosin dialogun në një pikë ku mund të fitojnë në raport me elektoratin”, ka thënë ai.
Stavileci ka thënë se pozita gjithmonë ka kërkuar që të bashkohet me opozitën në tema të mëdha për vendin dhe gjithmonë ka treguar konstruktivitet për temat e tilla.
Edhe
Opozita nuk i beson Qeverisë për dialogun, insiston në rrëzimin e saj
Për opozitën, Stavileci ka thënë se po të ishte parimore “opozita që kërkon seanca të tilla absurde pse të mos ulej në tryeza për të krijuar platformë që është më e rëndësishme se një individ”.
Ai ka shtuar se opozita duhet t’i bashkohet ekipit të themeluar sot nga kryeministri Ramush Haradinaj. Për këtë ekip, Stavileci tha se është unik dhe i qëndron prapa presidentit Hashim Thaçi.