Pas konfirmimit nga Presidenca suedeze për nisjen e konsultave brenda vendeve anëtare lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njohës të rrethanave thonë se edhe ky proces do të varet nga përparimi në dialog me Serbinë. Institucionet nuk qëndrojnë mirë as sa i përket përmbushjes së masave që dalin nga marrëdhënia kontraktuale me Bashkimin Evropian
Nisja e konsultimeve brenda Bashkimit Evropian po konsiderohet procedurë e zakonshme ku synohet shtrimi i rrugës për një vendimmarrje eventuale politike. Njohës të integrimeve evropiane thonë se edhe pse Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, ky proces do të jetë i ndërlidhur ngushtë me përparimin e Kosovës në dialog me Serbinë.
“Është lajm i mirë që Presidenca e Suedisë ka filluar diskutimet lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sidoqoftë, këtë zhvillim nuk duhet ekzagjeruar, sepse është një procedurë e zakonshme ku këto diskutimet e para diplomatike teknike synojnë të shtrojnë rrugë për një vendimmarrje eventuale politike”, ka thënë Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin Epik.
Kosova është vendi i fundit dhe i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë status prej vitit të kaluar e mori edhe Bosnjë-Hercegovina.
“Në këtë drejtim Kosova patjetër se e meriton statusin e vendit kandidat, por pyetja që shtrohet është sa reale janë gjasat që Kosova ta fitojë statusin e vendit kandidat. Këtu them se në thelb Kosova i përmbush të gjitha kriteret për statusin e vendit kandidat, por njëkohësisht duhet nënvizuar e duhet të kuptojmë se ky hapërim drejt BE-së do të jetë i lidhur ngushtë me progres në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pra, është e pamundur të imagjinohet që Kosova ta fitojë statusin e vendit kandidat pa bërë progres në kuadër të dialogut me Serbinë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo ndërlidhje u pa edhe në proceset e tjera.
“Këtë e kemi mësuar jo vetëm nga procesi integrues i Kosovës sikur që është lidhja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por kemi parë edhe nga proceset që jo domosdoshmërish lidhen me procesin e integrimit evropian apo me procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, siç është Marrëveshja për liberalizimin e vizave. Pra, në një sfond ku edhe procesi i liberalizmit të vizave kushtëzohet me dialogun patjetër se edhe procese të tjera shumë më politike, sikurse që është marrja e statusit të vendit kandidat, do të ndërlidhen me dialogun”, është shprehur Shasha.
Qeveria në koordinim me Suedinë
Ambasadori i Suedisë në BE, Lars Danielson, deklaroi të hënën se personalisht ka nisur konsultimet në cilësinë e kryesuesit të radhës së BE-së për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës.
“Ne po konsultohemi me shumë shtete për të parë se si do të vendosim rreth kësaj kërkese. Kemi pesë vende që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që me to konsultohem së pari. Me disa tashmë jam takuar dhe po vazhdojmë takimet”, ka thënë ai gjatë një takimi me gazetarë.
Sipas tij, vendimi se si të veprohet me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE është procedural, por edhe politik.
“Nuk dua t’i paragjykoj rezultatet e konsultimeve, por sapo të shoh se po ndërtohet konsensusi mes vendeve anëtare se si të veprohet do t’i njoftoj vendet anëtare. Kemi dy alternativa: T’ia bartim Komisionit apo të mos ia bartim Komisionit. Por po punojmë me shumë vullnet në këtë dosje”, ka shtuar ai.
Përgjegjësia për agjendën evropiane i takon Zyrës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Këshilltari i tij, Klisman Kadiu, ka deklaruar për KOHËN se, në fazën e konsultimeve, nuk ka ndonjë veprim procedural që kërkohet nga Republika e Kosovës.
“Sidoqoftë, institucionet e Republikës së Kosovës, brenda e jashtë vendit, po punojnë vazhdimisht në të gjitha nivelet që qëndrimet e shteteve anëtare të jenë pozitive karshi aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Në këtë aspekt ia vlen të theksohet se ne jemi në koordinim të vazhdueshëm si me Ambasadën e Suedisë në Kosovë, ashtu edhe me Qeverinë suedeze për të gjitha zhvillimet në raport me aplikimin tonë për anëtarësim në BE”, ka theksuar ai.
Krahas pengesave politike që mund të shfaqen brenda Bashkimit Evropian, kryeministri Albin Kurti të martën ka folur edhe për obstruksionet e Serbisë. Sipas tij, presidenti serb shkeli Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 kur u dërgoi letra pesë shteteve mosnjohëse duke u kërkuar që të refuzojnë aplikimin e Kosovës për Bashkim Evropian.
“Pesë ditë para dorëzimit të aplikacionit tonë, saktësisht më 10 dhjetor, presidenti i Serbisë që dikur ka qenë ministër i informacionit të Milosheviqit deklaroi publikisht se po u dërgon letra pesë shteteve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës që të refuzojnë aplikimin për interesim të Republikës së Kosovës. Mos e harroni që me këtë rast ai ka bërë shkelje të pikës së 14 të Marrëveshjes më të dashur të tij, të 19 prillit të vitit 2013, gjashtë pikat e para të së cilës i referohen Asociacionit”, ka thënë Kurti të martën, pas mbledhjes me kryetarët e komunave.
Zbatueshmëria e kritereve që dalin nga MSA-ja
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016, përbën themelin e procesit të integrimit evropian. Në bazë të MSA-së, Kosova obligohet të zbatojë reforma komplekse gjatë periudhës 10-vjeçare.
BE-ja nga ana tjetër monitoron dhe vlerëson progresin e bërë me anë të publikimit vjetor të Raportit për vendin. Raporti vlerëson gatishmërinë e vendit për t’iu bashkuar BE-së, si dhe përparimin e bërë brenda 12 muajve.
Me qëllim të zbatimit të dispozitave të MSA-së, Kosova miraton çdo vit Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.
Raporti i fundit për nivelin e zbatueshmërisë së këtij programi është publikuar në tetor të vitit të kaluar. Trendi i përmbushjes së kritereve deri tash është shoqëruar me vonesa, në disa raste edhe serioze. Gjetjet tregojnë se gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar Programi është zbatuar në nivel prej 34.62 për qind. 9 nga 26 masa të planifikuara janë zbatuar, ndërsa 65.38 për qind e tyre apo 17 masa, ende nuk janë zbatuar plotësisht. Për më tepër, deri në fund të tremujorit të tretë i tërë Programi është zbatuar në shkallë prej 29.37 për qind. 69 nga 235 masa të planifikuara janë zbatuar, ndërsa 166 masa ende nuk janë zbatuar plotësisht.
Gjendja nuk është e mirë as sa i përket secilit bllok specifikisht. Te kriteret politike zbatueshmëria është 50:50. Bazuar në gjetjet e këtij raporti, masat e këtij blloku të planifikuara për periudhën raportuese të cilat nuk janë zbatuar brenda afatit të paraparë janë: Miratimi nga Qeveria i Projektligjit për paga në sektorin publik; Miratimi nga Qeveria i Projektligjit për zyrtarët publikë; Miratimi nga Qeveria i Projektligjit për inspektimin administrativ; Miratimi i raportit final për performancën e agjencive ekzekutive në Qeveri.
Barra kryesore për zbatimin e kritereve që dalin nga Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së u bie dikastereve qeveritare. Por raporti konfirmon mungesën e rezultateve. Ministria e Arsimit, ajo e Ekonomisë, Ministria e Industrisë, e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Mjedisit nuk kanë përmbushur asnjë masë. Zyra e Kryeministrit prej pesë ka përmbushur dy masa, MPB-ja një prej dy sosh, kurse Ministria e Drejtësisë ka përmbushur 2 prej katër masave të planifikuara.
Në zyrën e zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane kanë thënë se për përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja Qeveria po punon në dy rrafshe, atë të planifikimit dhe zbatimit më të mirë të reformave të integrimit evropian.
“Në këtë aspekt, momentalisht është duke u zhvilluar rishikimi i Programit Kombëtar të Zbatimit të MSA-së 2023-2027 (PKZMSA 2023-2027). Përgjatë këtij rishikimi janë duke u analizuar edhe rekomandimet e dala nga Raporti për Vendin 2022 nga Komisioni i BE-së. Paralelisht me planifikimin e agjendës evropiane, është duke vazhduar koordinimi me institucionet e linjës në të gjitha nivelet për zbatimin e reformave. Tutje, jemi pajtuar me Komisionin e BE-së që të kalojmë në një intensitet edhe më të lartë të implementimit të reformave evropiane, meqenëse ky vit do të shënojë përmbylljen e fazës së dytë të Agjendës për Reforma Evropiane (European Reform Agenda – ERA II). Kjo do të arrihet përmes prioritizimit të indikatorëve, të mbetur dhe të realizueshëm, që janë pjesë e dokumentit”, ka deklaruar Klisman Kadiu.
Kosova e ka dorëzuar kërkesën formale për anëtarësim në BE më 15 dhjetor. Pas Suedisë, Presidencën e radhës së BE-së e ka Spanja, një vend anëtar i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Pas aplikimit për anëtarësim, janë tre hapa kryesorë që duhen përmbushur: Statusi i kandidatit, negociatat e anëtarësimit dhe ratifikimi i traktatit. Statusi i kandidatit nënkupton pranimin formal të aplikimit të një vendi, status ky që jepet me vendim unanim të Këshillit të BE-së. Nga koha e aplikimit deri te statusi i vendit kandidat mund të duhen disa vjet kohë. Në rastin e Shqipërisë kanë kaluar pesë vjet. Negociatat e anëtarësimit që përfshijnë përshtatjen e legjislacionit të vendit me atë të BE-së, janë hapi i dytë. Ato përfshijnë 35 kapituj dhe janë faza më e gjatë në procesin e anëtarësimit në BE. Mali i Zi ka nisur negociatat për anëtarësim qe 10 vjet.
Pasi të konstatohet përmbushja e 35 kapitujve, BE-ja dhe vendi kandidat nënshkruajnë Traktatin e Pranimit, i cili më pas duhet të ratifikohet nga vendi kandidat dhe secili vend i BE-së. Kroacia është e fundit që i është bashkuar BE-së në vitin 2013 – dhjetë vjet pas aplikimit. Sot janë tetë vende kandidate për anëtarësim në BE: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Turqia, Ukraina dhe Moldavia.