Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë se pas jetësimit të politikës së subvencionit të pajisjeve eficiente nga Qeveria, ka pasur një rënie të konsumit të energjisë prej 19 për qind.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Statovci ka pranuar se Kosova ende nuk qëndron në një stabilitet sa i përket sektorit të energjisë.
“Kosova ende nuk qëndron në një stabilitet sa i përket sektorit të energjisë përkundër potencialit dhe mundësive që i ka, këtu mendoj që qëndron pika e dhimbshme sepse ne e kujtojmë që që nga 2005-ta ka pasur projekte shumë konkrete në kuadër të sektorit të energjisë, e besa shumë konkrete më 2007-tën. Politika sektoriale në raport me energjinë ka ndryshuar, agjenda globale në raport me energjinë ka ndryshuar, nëse krahasohet 2007-ta në të cilën le të themi mbështeteshim në projekte të thëngjillit, sot si nga ana e donatorëve, financuesve e nga politikat e ndryshme, nuk është që mbështeten sepse shtyhen tutje politikat që shkojnë në raport me agjendën e gjelbër. Si tërësi e reduktimit që është stimuluar nga ana e politikës së subvencionit të pajisjeve eficiente kemi parë një rënie deri në rreth 19 për qind, i cili ka qenë gjithashtu edhe synimi ynë”, ka thënë ajo.
Derisa ka folur për Fondin Sovran, Statovci e ka përmendur “Trepçën” si një nga ndërmarrjet publike që ka pasur rritje në të hyrat prej 15 në 22 milionë, duke iu referuar të dhënave të vitit 2022.
“Nga informatat që kam thuhet se “Trepça” ka rritur të hyrat nga 15 milionë në 22 milionë dhe për herë të parë që nga paslufta ka shënuar këtë profit. Po flasim për të dhënat e vitit 2022 pasi të dhënat e vitit 2023 ende nuk janë gjeneruar. Ne kuptojmë situatën në të cilën ndodhet ‘Trepça’ e jona është një përpjekje që t’i ofrojmë alternativë. Shtimi i të hyrave tregon që ka një dimension të përmirësimit të situatës”, ka thënë ajo.
Derisa është pyetur nëse ky Projektligj do të hyjë në fuqi këtë vit, Statovci ka thënë se varet nga vendimi i gjykatës Kushtetuese, ku aktualisht është bllokuar ky projektligj.
“Ka projektligje që i kemi në Gjykatën Kushtetuese për më shumë se një vit andaj dinamikën e jetësimit të Fondit Sovran nuk mund ta parashikoj sepse aktualisht është i bllokuar në Kushtetuese, por besoj se ka dimensione shumë të rëndësishme pasi do t’i ndihmojë edhe sektorit privat për ta stimuluar tutje përmes investimeve”, ka theksuar ajo.