Bashkimi Evropian i ka cilësuar si të pakoordinuara dhe të njëanshme veprimet e Kosovës në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ka thënë se veprimet e fundit në Kosovës kanë nxitur shqetësim te Bashkimi Evropian.
“Gjatë javës së shkuar kemi parë dy shembuj të veprimeve që kanë nxitur shqetësim te Bashkimi Evropian. Njëri prej tyre ishte rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, dhe tjetra operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia. Këta hapa janë shqetësues sepse nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës“, ka thënë Stano.
Sipas tij, këto veprime nuk po kontribuojnë në deeskalim të situatës dhe mund të kenë ndikim negativ te njerëzit.
“Këta hapa janë shqetësues sepse nuk po kontribuojnë në përmirësimin e situatës, zakonisht nuk janë të koordinuar, janë të njëanshëm ose ndërmerren pa një nivel të nevojshëm konsultimi paraprak për të parandaluar ndikimin negativ që mund ta kenë te njerëzit. Prandaj është e rëndësishme të kthehen në dialog“, është shprehur ai.
Derisa është deklaruar për dialogun midis palëve në Bruksel, ai ka thënë se aktualisht nuk është caktuar ndonjë afat.
“Nuk jam në gjendje të shpall ndonjë datë të ndonjë takimi të radhës. Përfaqësuesi i posaçëm po punon me një ritëm të përditshëm dhe shpresojmë se në një moment do të do të jemi në gjendje të caktojmë një takim të nivelit të lartë të presidentit nga Serbia dhe kryeministrit nga Kosova, ku do të bënim përpjekje për t’u ndihmuar t’i zgjidhin çështjet”, ka theksuar ai.