Shfuqizim të menjëhershëm të Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Arsimit, po i kërkojnë ministres, Hykmete Bajrami drejtorë të departamenteve e divizioneve të MASHTI-t, të larguar nga pozitat e tyre në kohën e ish-ministrit, Shyqiri Bytyqi.
Kjo pasi po e konsiderojnë se ky dokument ka qenë i jashtëligjshëm dhe brenda një viti e gjysmë ka shkaktuar kaos në MASHTI, shkruan sot Koha Ditore.
Në tetor të vitit 2018, me pretendimin se po sjellin reforma, MASHTI duke u thirrur në këtë rregullore i largoi 32 drejtorë e udhëheqës divizionesh. Ish-ministri Bytyqi, në vend të të larguarve kishte emëruar persona të tjerë. Për shkak se disa nga të larguarit nga pozitat e tyre bënë ankesa në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil (KPMSHCK) dhe ngritën padi ndaj Qeverisë dhe MASHTI-t, procesi i organizimit të vendeve të punës u bllokua.
Që nga ajo kohë e deri më sot, Ministria ishte detyruar t’i paguajë me pagë të njëjtë edhe të larguarit, edhe të emëruarit në ato pozita duke shpenzuar mjete të konsiderueshme financiare.
Dy nga drejtorët e larguar i kanë thënë “Kohës” se për hartimin dhe miratimin e Rregullores nuk ishin respektuar procedurat e nevojshme ligjore. Për këtë vlerësojnë se është i domosdoshëm shfuqizimi i këtij dokumenti.
Ferit Idrizi, i cili prej vitit 2013 ishte drejtor i departamentit të Integrimeve në MASHTI, ka deklaruar se ministrja Bajrami duhet ta dërgojë këtë rregullore në Qeveri dhe ta kthejë në funksion të vjetrën.
(Të plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)