Ish-drejtori i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, pretendon që u transferua jashtëligjshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Gashi ka bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil lidhur me ndërrimin e detyrë dhe kjo trupë e anuloi vendimin e Ministrisë së Arsimit, mirëpo ai nuk u kthye në pozitën që e mbante në MASHT
Dëfrim Gashi e ka udhëhequr Inspektoratin e Arsimit për gati 16 vjet, e në vitin 2016 e fitoi edhe akt emërimin me afat të pacaktuar për këtë pozitë. Megjithatë, që nga shkurti 2024 atij i është ndërruar pozita dhe është sistemuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Sipas Gashit, largimi tij u bë padrejtësisht nga ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe pa marrë njoftim a arsyetim ligjor.
Thotë se lajmin e mori vesh nga mediat dhe se Departamenti për Zyrtarë Publikë nuk ka vepruar në përputhje me ligjin.
“Sistemimi do të duhej të bëhej brenda ministrisë, duke e ruajtur klasën, nivelin dhe duke mos u dëmtuar në pagë. Tek unë e kanë bërë të kundërtën, është bërë transferimi i përhershëm pa një arsyetim pse është bërë, pa pëlqimin tim dhe duke m’i dëmtuar katër koeficientë në pagë. Me ligj të shfuqizuar është thirrur Departamenti dhe e kanë bërë transferimin tim”, ka thënë Gashi.
Në vendimin e Ministrisë së Arsimit për largimin e tij thuhet se Departamenti për Zyrtarë Publikë i ka dhënë opinion ligjor MASHTI-t se akt emërimi i Gashit me afat të pacaktuar në pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit nga viti 2016 është i kundërligjshëm.
“Akt emërimi i datës 03.10.2023 është i paligjshëm, sepse është në kundërshtim me nenin 15 paragrafi 3 të Ligjit nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili përcakton se mandati për pozitat e larta drejtuese është 3-vjeçar. Gjithashtu, është në kundërshtim me nenin 42 paragrafi 4 i Ligjit 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, pasi që kohëzgjatja dhe mandati i pozitave të larta drejtuese është me kohë të caktuar”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Arsimit.
Ligji për Shërbimin Civil është shfuqizuar në shtator 2023 kur është bërë Ligji për Zyrtarët Publikë.
Gashi pati shtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, i cili e anuloi vendimin e ministres së Arsimit, duke konstatuar se ishte marrë nga një organ jokompetent.
Megjithatë, ky vendim nuk u shoqërua me urdhër për kthimin e Gashit në pozitën e mëparshme, duke i lënë në fuqi pasojat juridike të vendimit të MSH-së.
Avokati i Popullit ka konstatuar se Këshilli i Pavarur e ka krijuar një gjendje juridike të paprecedentë.
“Ky vendim i KPMSHCK-së e ka krijuar një gjendje juridike të paprecedentë, i cili e lë në fuqi pasojën e një vendimi të paligjshëm, për të cilin është konstatuar se është nxjerrë nga një organ jokompetent, dhe për jokompetencën e atij organi ka vendosur vetë KPMSHCK-ja. Në këtë kontekst, Avokati i Popullit e tërheq vëmendjen se KPMSHCK-ja e ka pasur për obligim ligjor që, me rastin e marrjes së Vendimit A. nr: 1237, ta respektonte plotësisht parimin e ligjshmërisë, dhe me rastin e anulimit të vendimit ta anulonte edhe pasojën juridike që e kishte shkaktuar ai vendim, dhe me këtë ta mbronte dhe ta garantonte të drejtën e ankesës së ankuesit”, ka thënë Naim Qelaj, Avokati i Popullit.
KOHA ka dërguar pyetje që nga data 8 korrik në Ministrinë e Arsimit, në KPMSHCK dhe në Departamentin për Mbikëqyrjen e Zyrtarëve Publikë, lidhur me të gjitha pretendimet e ngritura nga ish-drejtori Gashi, por nuk ka marrë përgjigje nga asnjë prej këtyre institucioneve.