Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Stafa: Qeveria shqiptare s’po bën asgjë që ta mbajë nën kontroll rritjet e çmimit të naftës

Gazetari i News24, Osman Stafa, ka thënë se Qeveria shqiptare nuk po bën asgjë për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve të naftës në Shqipëri.

Në një lidhje direkte në Interaktiv të KTV-së, Stafa ka deklaruar se rritja e sotme e çmimit të naftës është rritja më e lartë që është bërë ndonjëherë në Shqipëri.

“Mund të them që vetëm gjatë natës së sotme çmimi i naftës ka shkuar në 275 lekë, kjo ishte rritja e fundit në Shqipëri, por rritja ka nisur që nga muaji shtator. Kompanitë e hidrokarbureve kanë vendosur që të paktën një herë në disa muaj të rrisin çmimet, por ditën e fundit ka shkuar deri te çmimi më i lartë ndonjëherë në Shqipëri. Kryeministri sot deklaroi në njëfarë forme konkretisht se nuk kemi çfarë të bëjmë sepse kjo krizë nuk ka lindur në Shqipëri, ka ardhur nga ajo çfarë po ndodhë në botë. Aktualisht Qeveria shqiptare nuk po bën asnjë gjë për mbajtjen në kontroll të çmimeve të naftës, ne nuk kërkojmë që Qeveria të përcaktojë çmimet e naftës, por ka organizmat e saj siç është Autoriteti i Konkurrencës, i cili mund ta bëjë shumë mirë këtë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo rritje e çmimit të naftës po lidhet me krizën që ka ardhur si pasojë e situatës në Ukrainë, mirëpo ka thënë se kjo nuk mund të keqpërdoret përderisa në Ukrainë është çmimi më i ulët.

Stafa ka lajmëruar se të mërkurën do të mbahet një protestë mbarë-popullore, ku do t’i kërkohet Qeverisë që të gjejë zgjidhje për menaxhimin e kësaj sfide.

“Kjo rritje sot po lidhet me atë se çfarë po ndodhë në Ukrainë, por nëse në Ukrainë çmimi i naftës ka shkuar te një euro, si ka mundësi që çmimi i naftës në Shqipëri të rritet deri në këtë masë. Ne kemi thirrur të mërkurën një protestë në orën 17:00 përpara kryeministrisë për shkak se është institucioni kryesor i cili në këto situata duke qenë se është qeverisje që votohet nga populli jo vetëm për të menaxhuar paranë publike por edhe sfidat. Një nga kërkesat tona gjatë ditës së nesërme është heqja e disa nga taksat deri në momentin që të kalojë kjo krizë”, ka thënë ai.