Sindikata e Pavarur e RTK-së shpreh shqetësimin për mungesën e transparencës së Menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së në hartimin e rregullativës së brendshme ligjore.
SPRTK thotë të jetë njoftuar përmes burimeve të saj se drejtuesit e RTK-së kanë hartuar disa draft-rregullore, përfshirë Rregulloren për Shpërblime, përmes së cilës synohen të legjitimohen pagat e dyfishta klienteliste, në kohën kur RTK përballet me probleme të mëdha financiare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Këto paga, në formë të aneks-kontratave, janë marr prej vitesh, në mënyrë të kundërligjshme, kryesisht nga bashkëpunëtorët e ngushtë të menaxhmentit, duke i shkaktuar humbje të mëdha buxhetit të RTK-së”, thotë SPRTK.
“SPRTK si përfaqësuese e interesave të punëtorëve nuk është njoftuar dhe as nuk është ftuar fare në procesin e hartimit të rregulloreve. Një injorim i tillë po ndodhë prej kohësh në kundërshtim me Ligjet e Republikës së Kosovës, të cilat garantojnë përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të punëtorëve”, thekson më tej kjo Sindikatë.
Sindikata përkujton drejtuesit e RTK-së, në veçanti kryetarin e Bordit të RTK-së, Ismet Bexheti, se rregulloret e brendshme të RTK-së miratohen për punëtorët dhe se çdo përpjekje për anashkalimin dhe injorimin e përfaqësuesve të tyre sindikalë dhe grupeve të interesit është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe standardet evropiane të qeverisjes.
Sindikata e Pavarur e RTK-së kërkon nga Kuvendi, gjegjësisht nga Komisioni Parlamentar për Medie dhe ai për Buxhet e Financa, si organe rregullative mbikëqyrëse të RTK-së, që të marrin masa për sigurimin e transparencës dhe përfshirjen e të gjitha palëve të interesit në draftimin e rregulloreve.
“Kujtojmë se kohëve të fundit, Bashkimi Evropian dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë kanë shprehur brengosje për mungesë transparence në amandamentimin e ligjit për RTK-në, duke kërkuar debat publik për rregullativën ligjore të Transmetuesit Publik. RTK ka një kohë të gjatë që po përballet me parregullsi dhe probleme të mëdha financiare dhe ligjore si pasojë e keqmenaxhimit”, thuhet në fund të këtij reagimi të SPRTK-së.