Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK) ka kërkuar nga deputetët në Kuvendin e Kosovës që urgjentisht t’i nisin procedurat për shkarkimin e Bordit të RTK-së, për shkak siç thonë vendimet e jashtëligjshme dhe tejet të dëmshme për RTK-në, publikut dhe të punësuarit e saj.
Po ashtu ka kërkuar nga Kuvendi I Kosovës që të themelohet një Komision Hetimor Parlamentar.
Sindikata ka përmendur disa nga vendimet që ka marrë Bordi i RTK-së që i ka vlerësuar të dëmshme:
1. Zgjedhja e drejtorit gjeneral të RTK-së pa votën e 2/3 të anëtarëve të Bordit ashtu siç parashihet në nenin 32 të ligjit të RTK-së.
2. Zgjedhja në pozitën e Drejtorit të RTK 2 e personit i cili duke qenë redaktor i portalit kosovo--online.com, ka shtyrë përpara agjenda të dëmshme për vendin, njëra prej tyre është ndarja e RTK 2 prej RTK, duke e cenuar kështu sigurinë shtetërore.
3. Zgjedhja në pozitën e zëvendës drejtorit gjeneral të RTK-së e personit i cili në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2019, votuesit i kishte quajtur pro-rus dhe antiperëndimorë.
4. Vetëm përgjatë këtij tetori janë realizuar pesëmbëdhjetë punësime të reja, megjithë gjendjen e vështirë financiare si pasojë e borxheve milionëshe të krijuara nga shpenzimet e pakontrolluara të cilat po e rrezikojnë çdo ditë stabilitetin e RTK-së Madje në kuadër të këtyre punësimeve janë pranuar punëtorë të rinj edhe në Radio Kosovë ku janë të punësuar rreth dyqind (200) persona.
5. Mos pagesa, për pesë muaj rresht e Trustit të të punësuarve, edhe pse paratë atyre iu ishin marrë nga pagat në fillim të çdo muaji. Ky veprim i tyre është bërë pa dijeninë e të punësuarve. Si pasojë e kësaj papërgjegjësie, të punësuarit e RTK -së për këtë periudhë kohore janë dëmtuar financiarisht, pasi që Trusti Pensional, paratë e grumbulluara nga të punësuarit i investon kryesisht në tregje ndërkombëtare dhe përfitimet e realizuara nga këto investime ua ndan të punësuarve kontributdhënës.
6. Veprimet diskriminuese ndaj të punësuarve gjatë shpërndarjes së ndihmave solidare. Ndihmat solidare të cilat u jepen të punësuarve për rastet e vdekjeve, për më shumë se dy vjet janë shpërndarë në mënyrë selektive.
7. Veprimet diskriminuese gjatë procesit të avancimeve. Një grup i të punësuarve rastin e kanë proceduar në gjykatë për trajtim.