Ndërmarrjen “Sport Marketing”, e cila është pothuajse në prag të falimentimit, nga kjo javë po e drejton një person politik.
Ish-asamblistja e AKR-së, Mirlinda Sopi, është zgjedhur në pozitën e kryeshefes ekzekutive të kësaj ndërmarrjeje, që është pronë e Komunës së Prishtinës, e ku partia e saj bashkëqeverisë me PSD-në e Shpend Ahmetit, raporton “038” i KTV-së.
Ajo mohon të ketë pasur ndikime politike në përzgjedhjen e saj, duke insistuar se gjithçka ka kaluar përmes konkursit publik.
Por, pos saj, ndërmarrja është e mbushur me njerëz që janë pjesë ose janë të afërt me Aleancën Kosova e Re.
Në mesin e anëtarëve të bordit drejtues është edhe Fatmir Bekolli, që dikur ka punuar në hotelin e familjes Pacolli.
Edhe
Komuna e Prishtinës humb betejën ligjore për pronësinë e Shtëpisë së Gurit në Brezovicë
Sidoqoftë, ndërmarrja po përballet me krizë financiare.
Dy asetet e saj kryesore, Pishina e Gërmisë dhe Qendra e Skijimit në Brezovicë, nuk i sollën asaj fitim krahasuar me vitet e kaluara.
Kjo ka bërë që punëtorët të mbesin pa paga tash e disa muaj.
Sopi thotë se qysh tash kanë bërë kërkesë në Komunë që këtë vit t’ju lejohet dërgimi i nxënësve në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.
Këtë zakon e kishte ndërprerë kryetari Ahmeti kur kishte marrë pushtetin në mandatin e parë me arsyetimin se nxënësit po detyrohen të shkojnë në vizitat e ndërmarrjes.
Që atëherë, objekti ka mbetur i braktisur dhe pothuajse i pashfrytëzuar.
Edhe
Pranë falimentimit pa veprimtari, Komuna e subvencionon sërish “Sport Marketingun”
Komuna e Prishtinës është në kontest gjyqësor më atë të Shtërpcës, pasi kjo e fundit pretendon se objekti është në pronë komunale.
KTV-ja lidhur me objektin ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga Komuna e Shtërpcës, por zyrtarë të saj nuk kanë kthyer përgjigje.