Arbëri

“Sport Marketingu” e quan skandaloz vendimin që të mos i menaxhojë fushat sportive në Prishtinë

Me vetëm një aset në menaxhim, “Sport Marketingu” është ndërmarrja e vetme publike komunale në Prishtinë që përballet me probleme në funksionim si pasojë e të hyrave të pakta financiare.

Ajo gjeneron para vetëm nga pishina e Gërmisë gjatë verës, pasi shtëpinë e gurit në Brezovicë ka kohë që nuk e menaxhon për shkak të problemeve të pronësisë.

Si shpëtim për të dalë nga kjo situatë, ndërmarrja kishte kërkuar nga komuna që të mirëmbajë të gjitha fushat sportive në kryeqytet, shërbim për të cilin do të subvencionohej, raporton emisioni “038” i KTV-së.

Mirëpo, komuna nuk ka marrë parasysh kërkesën e “Sport Marketingut”, duke thënë se janë në proces të marrëveshjes që këtë shërbim ta kryejë Ndërmarrja Publike Banesore (NPB).

Këtë paralajmërim të drejtorisë së Sportit e vlerëson si skandaloz kryeshefja e “Sport Marketingut”, Mirlinda Sopi. Ajo thotë se një gjë e tillë do ta dëmtonte edhe më tej ndërmarrjen.

Megjithatë, Drejtoria e Sportit, drejtor i së cilës është Fitim Rexha, thotë se kanë menduar edhe për gjendjen e “Sport Marketingut”.

Këto premtime të Rexhës, sipas Sopit, nuk janë të mjaftueshme.

Përpos fushave sportive, ndërmarrja “Sport Marketing” është deklaruar e gatshme të mirëmbajë edhe fontanat apo ndonjë nga stadiumet e kryeqytetit.