Borxhet e shumta po i shkaktojnë probleme Ndërmarrjes Publike Komunale “Sport Marketing”.
Përpos operatorëve ekonomikë, ndërmarrja u ka borxh disa paga edhe punonjësve të aktualë dhe ndaj tri bordeve të kaluara të saj.
Anëtarët e bordit të kaluar, që kanë shërbyer deri para 5 muajsh, thonë se ndërmarrja u ka borxh rreth 32 mijë euro atyre. Ky borxh, sipas tyre, është grumbulluar ndër vite.
Kuvendi Komunal, në dhjetor të vitit të kaluar i kishte ndarë “Sport Marketingut” 133 mijë euro për t’i paguar borxhet e saj. Ish-anëtari i bordit të kaluar, Astrit Hyseni, thotë se nga këto mjete janë paguar vetëm borxhet ndaj punonjësve aktual, por jo edhe ndaj tyre.
“...ndërmarrja publike dhe bordi i ri aktual ka bërë kërkesë në komunën e Prishtinës për shlyerjen e borxheve, obligimeve që kanë ndaj neve, kurse paratë janë dalë në xhirollogarinë e ndërmarrjes publike dhe nuk i kanë paguar obligimet që i kanë ndaj nesh. Kërkojmë nga ndërmarrja ‘Sport Marketing” që të zbatojë vendimin e Kuvendit Komunal për shlyerjen e borxheve ndaj operatorëve ekonomik dhe ish-bordit të kaluar”. Përafërsisht nga dy bordet janë 14 paga, afër 32 mijë euro që janë obligim ndaj secilit anëtar të bordit”.
Imer Rama, i cili ka qenë kryesues i bordit të kaluar, thotë se kërkesa e tyre mund të realizohet nga kryesuesja e ndërmarrjes dhe komuna. Ai thotë se kanë kërkuar disa herë takim me kryetarin Shpend Ahmeti, por që nuk u ka kthyer përgjigje.
“Kemi kërkuar takim me Shpend Ahmetin disa herë,katër herë edhe nuk i është përgjigjur ftesës asnjëherë. Pacolli prej kur erdhi si nënkryetar i komunës filloi t’i bëjë disa shkelje të rregullave, statutit dhe rregullores së kompanisë”.
Kryeshefja e ndërmarrjes, Mirlinda Sopi, deklaron se është e çuditshme se pse bordi i kaluar nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmë nga komuna rreth borxheve të ndërmarrjes.
"Po ky bord nuk ka arritur t'i realizojë shlyerjen e borxheve sa kanë qenë në mandat, tashmë fiks dy ditë pas dhënies së subvencionit nga komuna kërkojnë që t'iu paguhen borxhet e tyre. Për mua është shumë e quditshme qysh 6 vite nuk kanë reaguar asnjëherë për të kërkuar ndihmë nga komuna që t'i dalë në ndihmë ndërmarrjes".
Sopi thotë se pavarësisht këtyre, shpreson që do të arrijnë t’i shlyejnë këto borxhe. Derisa shton se së pari duhet të analizohet mire se si kanë ardhur në këtë situatë dhe pastaj të veprojnë.
"Është primare për mua t'i shlyej borxhet ndaj operatorëve sepse kemi kërcënime se do të ndërpritet furnizimi me rrymë, ujë, ndaj të gjithë operatorëve. E pastaj pagat do të vijnë në kohën dhe momentin e duhur, në momentin që do të kemi financa të mjaftueshme për ta shlyer këtë borxh”.
“Sport Marketingu” ka në dispozicion vetëm një aset, pishinën e Gërmisë nga e cila ka përfitime vetëm gjatë verës.
Ndërsa aseti tjetër, Shtëpia e Gurit në Brezovicë është në kontest gjyqësor dhe si pasojë ndërmarrja nuk gjeneron të hyra nga ajo.
Ndërmarrja po synon që në të ardhmen të krijojë një aset të ri, i cili do t’i sillte më shumë të ardhura, të cilat pastaj do t’i ndihmonin funksionimit më të mirë të saj.