Ka ditë që ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, është duke u trajtuar në klinikën e Otorolaringologjisë në QKUK.
Drejtori i kësaj Klinike, Hajdin Thaçi, ka bërë ditur se shërimi i tij kërkon 10 ditë terapi të pandërprerë dhe, sipas tij, keqësimi i gjendjes së Selimit erdhi pikërisht pas ndërprerjes së terapisë në dhjetor, raporton KTV.
Vizitë, ish-komandantit të UÇK-së i ka bërë edhe drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
Ai, për KTV-në ka mohuar zërat se Selimi është shtruar në spital për t’i ikur intervistimit nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.
Thaçi ka konfirmuar se deri tani asnjë njoftim nuk ka ardhur në Shërbimin Korrektues, për të kërkuar lëvizjen e Sylejman Selimit nga burgu në drejtim të Hagës.
Tomë Gashi, pjesë e ekipit mbrojtës të Selimit, ka treguar se ai është kontaktuar më parë nga një prokuror i Hagës, përmes telefonit, por që, sipas tij, ai nuk ka pranuar të flasë me të pa iu dërguar me shkrim, qoftë ftesë apo çfarëdo informate tjetër që lidhet me Selimin.
Sylejman Selimi, ish-komandant i UÇK-së e pastaj edhe FSK-së, u dënua me 8 vjet burgim për krime lufte.
Por, paneli për lirim me kusht, vitin e kaluar, ia refuzoi kërkesën për lirim, derisa Gjykata Supreme refuzoi kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë së mbrojtësve të tij dhe të të tjerëve të dënuar.