Arbëri

Specialja për pranimin e dokumenteve nga Serbia: S’është tregues që kanë peshë a besueshmëri

Gjykata Speciale

Gjykata Speciale ka reaguar ndaj Avokatit të Popullit në Kosovës, i cili përmes një letre drejtuar kryetares Ekaterina Trendafilova ka ngritur disa shqetësime, e një ndër to, për pranimin e disa dokumenteve siç tha – të paligjshme, nga Serbia.

Në reagimin e Speciales thuhet se pranimi i atyre dokumenteve nuk është tregues sa peshë apo besueshmëri do t’iu jepet nga ana e gjykatësve.

“FAKT: Një vendim për të pranuar prova nga Prokuroria ose Mbrojtja nuk është tregues sa peshë ose besueshmëri do t’u japin gjykatësit atyre, në qoftë se do t’u japin peshë. Ky vendim merret në kuadër të aktgjykimit në fund të paraqitjes së provave”, thuhet në reagimin e Speciales në X.

Tutje në reagimin e Dhomave të Specializuara, thuhet se trupi gjykues vlerëson secilën provë duke mbajtur parasysh tërësinë e provave të administruara në gjykim.

“Gjatë shqyrtimit nëse janë vërtetuar pretendimet faktike, trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor duke i marrë provat në tërësi. Rregullorja nuk lejon që verdikti i fajësisë të bazohet vetëm në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Speciales.