Të gjitha institucionet arsimore në vend nuk do të punojnë të premten pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), ka vendosur që t’i bashkohet protestës së thirrur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Sipas kësaj sindikate, mësimdhënësit nga i gjithë vendi do të nisen drejt Prishtinës për të qenë pjesë e protestës.
“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit. Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
SBASHK-u shpreh keqardhje për gjendjen e krijuar por thotë se është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave, që ata i quajnë legjitime të punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete e kulturë, por edhe në sektorët e tjerë.
SBASHK ka apeluar te prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët në shkollë për hir të sigurisë, sepse shkollat janë pa personelin arsimor.
Megjithatë, SBASHK-u ka kërkuar mirëkuptim nga kopshtet të cilave iu kërkoj që të mos ndalin punën.
Më 12 maj, SBASHK-u organizoi një grevë njëorëshe në të gjitha nivelet e arsimit në vend. Ministria e Arsimit ka kërkuar që të mos mbahen greva për shkak se kjo dëmton nxënësit pas dy vitesh mësim në pandemi.