Kandidatët për kryetar të Serbisë vetëm edhe sot kanë kohë të zhvillojnë fushatën zgjedhore pasi që sonte në mesnatë fillon heshtja zgjedhore, transmeton Koha.net.
Zgjedhjet presidenciale në Serbi mbahen të dielën, më 2 prill. Ato zhvillohen nga ora 07:00 deri në orën 20:00.
Për këto zgjedhje do të votohet 8.523 vende zgjedhore.
Në zgjedhjet presidenciale të Serbisë votohet edhe në Kosovë.
Për të votuar në vendin tonë janë paraparë 90 vende zgjedhore.
Dje në Leposaviq është mbajtur një tubim parazgjedhor me zyrtarë të Serbisë në të cilin ka munguar kandidati nga koalicioni qeveritar Aleksandar Vuçiq i cili “ka bojkotuar” takimin me anulimin e vizitës i pakënaqur me vendimin që ai në vendin tonë të qëndronte vetëm tri orë.
Për emrin e pestë në postin e presidentit të Serbisë (deri më tash kryetarë kanë qenë Slobodan Milosheviq - dy herë, Milan Milutinoviq, Boris Tadiq - po ashtu në dy mandate dhe Tomislav Nikoliq), në garë janë 11 kandidatë.
Sipas renditjes në listën zgjedhore kandidatë janë: Sasha Jankoviq (kandidat i grupit të qytetarëve"Za Srbiju bez straha" – Për Serbinë pa frikë), Vuk Jeremiq (grupi i qytetarëve "Možemo bolje" – Mundemi më mirë), Miroslav Paroviq (Lëvizja popullore liridashëse), Sasha Raduloviq (Dosta je bilo – Mjaft ka qenë), Luka Maksimoviq alias Ljubisha Preletaviq ("Beli – samo jako" – Beli - Vetëm fuqishëm), Aleksandar Vuçiq (kandidat i koalicionit qeveritar), Boshko Obradoviq (Dveri – Portat), Vojislav Sheshel (Partia radikale serbe), Aleksandar Popoviq (Partia demokratike të Serbisë), Milan Stamatoviq (kryetar komune i Çajetinit) dhe Nenad Çanak (Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës).