Të mërkurën [sot] në Bruksel do të mbahet samiti Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, në fokus të afrimit të mëtejshëm të dy palëve, por edhe në çështje të caktuara kontestuese. Kosova në këtë samit përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Këshilli i BE-së njoftoi dje se temat kryesore të diskutimit do të jenë thellimi i angazhimit politik me Ballkanin Perëndimor, afrimi i partnerëve nga ai rajon me bllokun dhe përmirësimi i integrimit gradual, ndërtimi i themeleve ekonomike për të ardhmen dhe zbutja e ndikimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe forcimi i sigurisë dhe ndërtimi i rezistencës.
Samiti, i cili po mbahet në prag të takimit dyditor të liderëve të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Union, si dhe nevojën për arritjet e qëndrueshme dhe të pakthyeshme të reformave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në vlerat dhe parimet e BE-së, deklaroi Këshilli i BE-së.
Temat kryesore të samitit do të jenë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, respektimi i politikës së jashtme të BE-së dhe plani i ri për rritjen ekonomike të rajonit, me vlerë gjashtë miliardë euro.
Së bashku me liderët e BE-së dhe 27 vendeve anëtare të saj, vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfaqësohen nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Edi Rama, Dimitar Kovaçevski dhe Ana Bërnabiq, ndërsa nga Bosnja do të marrë pjesë Zheljko Komshiq.
Në fund të samitit, liderët pritet të miratojnë një deklaratë të përbashkët që duhet të konfirmojë perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe përkushtimin e vendeve të rajonit ndaj reformave dhe vlerave të Bashkimit Evropian.
Në draft-deklaratën thuhet se BE-ja pret nga Beogradi dhe Prishtina angazhim konstruktiv në dialog dhe përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve, i cili përshkruhet si “çelës për sigurinë e të gjithë rajonit”.
“I bëjmë thirrje partnerëve që të zbatojnë plotësisht marrëveshjen për rrugën e normalizimit (në mes Kosovës dhe Serbisë) pa vonesa dhe parakushte. Ne presim që ata të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të shtensionuar situatën dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë ”, thuhet në draft-deklaratë.
Në deklaratë përmendet edhe respektimi i politikës së jashtme të BE-së, pra bashkimi me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, me vlerësimin se “të qenit me BE-në në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës është një shenjë e qartë e orientimit strategjik, më e rëndësishme sot se kurrë”.
“BE-ja përgëzon partnerët në Ballkanin Perëndimor të cilët tashmë tregojnë përkushtim strategjik duke u përafruar plotësisht me politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë dhe inkurajon ata që nuk e kanë bërë këtë të ndjekin shembullin e tyre”, thuhet në draft-deklaratë, sipas Politico.
Shteteve nga Ballkani Perëndimor u kërkohet gjithashtu të forcojnë sigurinë kibernetike, ndër të tjera, duke siguruar vendosjen e sigurt të rrjeteve 5G duke përjashtuar ose kufizuar përdorimin e pajisjeve nga kompanitë kineze Huawei dhe ZTE.
Kjo mund të jetë problematike për Serbinë, sipas Politicos, sepse kompania kineze Huawei hapi një Qendër për Inovacion dhe Zhvillim Digjital në Beograd dhe nënshkroi një kontratë me kompaninë shtetërore Telekom Srbija për modernizimin e rrjetit fiks.
Samiti do të jetë mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara në lidhje me çështjet e sigurisë, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, i cili përfshin luftën kundër informacioneve të rreme dhe forcimin e sigurisë kolektive kibernetike, deklaroi Këshilli i BE-së.
Pritet që një nga temat e takimit të jetë bllokada e mundshme greke për integrimin evropian të Shqipërisë për shkak të mosmarrëveshjes për Fredi Bellerin, një shtetas shqiptar me nënshtetësi greke i cili u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës, por nuk mori detyrën pasi u arrestua me akuzën e blerjes së votave.
Autoritetet greke kanë insistuar që Beleri, i cili ka dy shtetësi, të betohet si kryetar i Himarës.
Kryeministri Rama ka thënë pak ditë më parë se qëndrimi i Tiranës për çështjen Beleri nuk do të ndryshojë as para e as pas samitit të 13 dhjetorit.
Samiti i mëparshëm i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u mbajt në Tiranë në dhjetor 2022. Ishte samiti i parë BE-Ballkani Perëndimor i mbajtur në atë rajon.