Arbëri

Sopi: Escobar bëri gabim, devijoi nga qëndrimi i Bidenit për Kosovën

Panelisti i emisionit “Konfront”, Agim Sopi, e ka quajtur gabim katastrofal vendimin e të dërguarit të SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar, “mbi tërheqjen nga qëndrimet e presidentit Joe Biden për dialog”.

Ai ka thënë të mërkurën se qëndrimet e presidentit të SHBA-së ishin për biseda gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë, ligjërisht të obligueshme dhe me njohje.

“Vendim katastrofal i z.Escobar që të tërhiqet nga qëndrimet e Bidenit për problemin e bisedimeve qysh në fillim, sepse qëndrimi i Biden ka qenë biseda gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme me njohje në qendër. Aneksi i pakos së Ahtisaarit që parasheh Asociacionin, e sheh si këmbim për njohjen mes Serbisë dhe Kosovës. Një lloj autonomie dhe ata të ndihen si qytetarë të privilegjuar që të mbyllim problemin me Serbinë që pretendon se Kosova është djep i saj historik...ky është problemi i z.Escobar”, ka shtuar ai.


Demaku: Anëtarësimi në KiE mund të kushtëzohet me Asociacionin

Panelistja në “Konfront” të KTV-së, Dafina Demaku, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të kushtëzohet edhe me dërgimin e draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

Në debatin mbi vendimin për Manastirin të mërkurën, Demaku ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka hyrë në lojën e kompromisit.

“Procedura për anëtarësim në KiE është kështu: Jepet drita jeshile, shkon në Asamblenë Parlamentare, fjalën e fundit e thotë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës. Në atë rast është e mundur që të kushtëzohet edhe me çështje të tjera që janë pjesë e dialogut. Mendoj se ka gjasë që në ditët në vazhdim mund të na kushtëzohet anëtarësimi në KiE edhe me dërgimin e draftit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim. Kryeministri Kurti ka hyrë në lojën e kompromisit që ka qenë krejt e kundërta si opozitarë, por për çështjen e Manastirit edhe më larg se një vit ka qenë kundërshtues i kësaj çështje”, ka thënë ajo.

Sipas Demakut, anëtarësimi në KiE do të përdoret si propagandë nga Qeveria, e cila do ta cilësojë si sukses të madh.

“Çka është interesante te anëtarësimi në Këshillin e Evropës, kjo do të merret si referencë brenda pak ditësh do ta shohim që do të shpërthejë propaganda si një sukses i madh, për mendimin tim edhe është sukses anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Ky është sukses i jashtëzakonshëm për një qeveri që të vetmin sukses që e ka gjatë qeverisjes është hapja e një zyre në Vatikan dhe do ta shohim që brenda pak ditësh do të vlojë propaganda”, është shprehur më tej ajo.


Gjinovci: Manastirit të Deçanit i janë kthyer tokat e marra më 1946

Opinionisti Rron Gjinovci ka thënë se Manastirit të Deçanit i janë kthyer tokat e veta që i ishin dhënë qysh në kohën e Perandorisë Osmane. Sipas tij, pronat që përfshijnë një hapësirë prej 24 hektarësh i përkisnin këtij manastiri.

Gjinovci e sheh të drejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, e cila i dha të drejtë Manastirit të Deçanit në pretendimet për pronësi.

“Fakt shumë i rëndësishëm për Gjykatën Kushtetuese ishte që më 28 qershor 1946 përmes reformës agrare ia kanë marrë këto ngastra dhe janë formuar ndërmarrjet. Ndërmarrjet janë formuar më vonë, nuk kanë qenë para Manastirit të Deçanit. Nëse ia ka marrë në mënyrë të padrejtë Jugosllavia përmes reformës agrare, me ia kthy në vitin 2000 apo 2024 po më duket akt i drejtësisë. Në vitet 90 janë marrë shumë vendime”, ka thënë ai.

Gjinovci ka thënë se kryeministri Albin Kurti në pushtet ka ardhur me premtime që realisht nuk mund të bëhen siç i ka thënë ai, por se e ka bërë për të marrë vota.

“A është kryeministri Kurti politikan i kompromiseve, nuk më rezulton kështu. Më rezulton si person që ka mësuar dhe ka gabuar jashtëzakonisht shumë në të kaluarën duke i dhënë publikut karamele nacionaliste – e ka flamurin, e ka bashkimin kombëtar, e ka pasur Manastirin e Deçanit – këto janë karamele për të fituar vota”.


Sopi: Sistemi i drejtësisë në Kosovë i shërben krimit dhe korrupsionit

Panelisti në emisionin “Konfront”, Agim Sopi, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë i shërben krimit dhe korrupsionit, duke shtuar se gjykatat mbrojnë grupacione të interesit.

Ai ka thënë të mërkurën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit ishte në dëm të qytetarëve.

“Kjo është hipokrizia më e madhe sepse të gjithë e dimë se ky është vendim i padrejtë dhe i kundërligjshëm...të na shiten vendimet në dëm substancial të qytetarit, është pandershmëri e madhe politike. Sistemi gjyqësor në Kosovë nuk i shërben drejtësisë po i shërben krimit të organizuar e korrupsionit. Gjykatat në të gjitha nivelet deri te Kushtetuesja në Kosovë mbrojnë grupacione të ndryshme të interesit, shkelësit e ligjit e asnjëherë të qytetarin”, ka theksuar ai.


Spahiu i quan tradhtarë gjyqtarët që vendosën për tokën e Manastirit të Deçanit

Analisti Nexhmedin Spahiu, i ka quajtur tradhtarë gjyqtarët që kanë vendosur për dhënien e pronave Manastirit të Deçanit.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Spahiu ka thënë se duhet të dihet se cilët janë gjyqtarët që e kanë gjykuar lëndën.

“Unë nuk e di cili ka qenë gjykatësi i Gjykatës Themelore që e ka gjykuar këtë lëndë. Kush ka qenë paneli në Gjykatën e Apelit që e ka vendosur këtë, kush ka qenë paneli në Gjykatën Supreme dhe kush në Gjykatën Kushtetuese e ka votuar. Është shumë me rëndësi të dihet. Derisa nuk dihet, ne nuk mund të presim përgjegjësi prej gjykatësve, prokurorëve, fare lehtë mundet Serbia t’i korruptojë sepse ajo e di që nuk ka pasoja për vendimin e tyre, në ndërkohë që shteti tjetër mund edhe t’i kërcënojë me vrasje, mund edhe t’i shantazhojë me filmime sekrete, të gjitha këto janë në lojë. Opinioni publik është e rëndësishme ta dijë kush e ka tradhtuar Kosovën. Për mendimin tim janë tradhtarë, ata do të duhej që publikisht ta mbrojnë vendimin nëse mendojnë se ai është i drejtë”, ka thënë ai.