Arbëri

Cilësohet jodiplomatik deklarimi i Escobarit për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Gabriel Escobar

Gabriel Escobar

Foto: Alban Bujari

Të pakuptueshme e jodiplomatike janë vlerësuar nga zyrtarë shtetërorë gjermanë dhe nga njohës të zhvillimeve politike në vend dy kushtet e reja të prezantuara nga emisari amerikan, Gabriel Escobar, për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. E në opozitë vlerësuan se janë veprimet e fundit të Qeverisë ato që patën ndikim në përfshirjen si kushte të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të disa shpronësimeve në veri

Pas zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit të Deçanit, si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE), Kosovës i janë vënë edhe dy kushte të tjera, e të cilat nuk janë prezantuar nga Evropa, por nga Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Në një intervistë për REL, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha një ditë më parë se për anëtarësim në KiE, Kosova duhet të përmbushë dy kushte të tjera: Të ndërmarrë veprime për shpronësimet në veri që janë kundërshtuar nga serbët lokalë, e edhe ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Por, zyrtarë të lartë të shtetit gjerman i kanë kërkuar emisarit amerikanë që të mos përmendë kushte në emër të Këshillit të Evropës.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Bundestagut gjerman, Michael Roth, kërkoi nga SHBA-ja që ta ndalë qasjen e pabalancuar ndaj Kosovës.

“Është krejtësisht e pakuptimtë që SHBA-ja vë kushte shtesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo qasje e pabalancuar e SHBA-së ndaj Kosovës duhet të ndalet përfundimisht. Është e padrejtë. Këshilli i Evropës dhe shtetet e saj anëtare janë në ulësen e shoferit – jo SHBA-ja”, është shprehur ai të shtunën.

Njësoj, një ditë më parë edhe deputetë të tjerë gjermanë i kanë reaguar Escobarit, duke theksuar se Evropa vendos mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim, bazuar në rregullat e saj.

Njohësi i çështjeve politike, Basri Muja e quan jodiplomatike deklaratën e Escobarit që e ka bërë në ditën e fundit të vizitës në Kosovë. Ai jep një arsye pse mund të jenë prezantuar kushtet nga ai.

“Edhe politikanët në BE por edhe ata në SHBA e dinë që qëndrimet e zyrtarëve të SHBA-së vlerësohen dhe respektohen më shumë në Kosovë. Ndoshta kjo edhe ka qenë arsyeja pse z. Escobar në mënyrë goxha jodiplomatike i ka paraqitur qëndrimet edhe të BE-së, sikurse me qenë qëndrime të SHBA-së”, është shprehur Muja.

Kushtet e reja në të cilat përfshihet edhe themelimi i Asociacionit, janë komentuar edhe nga opozita në Kosovë.

Zëvendëskryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Xhavit Haliti, i cili është deputet i subjektit politik më të madh në opozitë, Partisë Demokratike, ka thënë se kushtet janë vendosur për shkak të veprimeve të kohëve të fundit të Qeverisë.

“Mendoj që Asociacioni duhet të bëhet për Kosovën, e jo për Këshillin e Evropës, sepse ai bëhet për qytetarët shtetas të Kosovës. Qëndrimi me politika të forta nacionaliste e ka dëmtuar Kosovën dhe ka ndikuar që të vendosen kushte të reja për këtë çështje. Ne duhet të ecim në linjën e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, të cilët mendoj dhe besoj që nuk kanë qëllim të keq ndaj Kosovës, qysh nuk kanë qëllim të keq as ndaj Serbisë. Problemet duhet të zgjidhen në mënyrë të dyanshme dhe presioni pas miratimit të çështjeve që janë obligim i Kosovës, do të fillojë të bjerë mbi Serbinë”, ka thënë Haliti.

Për themelimin e Asociacionit në këmbim të anëtarësimit në KiE, deputeti i Lidhjes Demokratike, Besian Mustafa, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka shndërruar vetë në obligim ndërkombëtar formimin e këtij mekanizmi, me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Vlerësoj se marrëveshja e Ohrit shkon përtej marrëveshjes fillestare të Asociacionit dhe ka elemente të skajshme të autonomisë sa u përket këtyre komunave. Zoti Kurti dhe kjo Qeveri e ka pranuar këtë marrëveshje, duke e shndërruar atë në obligim ndërkombëtar për Republikën e Kosovës. Pra, këto obligime tani janë shndërruar në obligime të Kosovës, obligime ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Por, profesori Muja thotë se janë të padrejta kushtet e vendosura. Ai shton se Qeveria duhet të jetë syçelë dhe se nuk duhet të lëshohet në gabime që mund ta ripërsërisin situatën me marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, me ratifikimin e së cilës ishte premtuar heqja e vizave.

“Mendoj që kjo është një praktikë e keqe, praktikë e gabuar, ku vazhdimisht, kur Kosova është në gjendje apo arrin ta plotësojë një kërkesë të them të tyre, ata pastaj dalin me kërkesa të tjera. Po shpresoj që nuk do të na përsëritet fati i marrëveshjes me demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Muja.

Lidhur me kushtet e prezantuara nga emisari Escobar, në Qeveri e në Ministri të Punëve të Jashtme nuk kanë kthyer përgjigje.

Pikërisht ditën kur Escobar nisi vizitën në Kosovë, kryeministri Kurti urdhëroi Agjencinë Kadastrale ta zbatojë vendimin e Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit. Kryeministri tha se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar.

E, Escobar e përshëndeti vendimin, por theksoi më pas se “tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është... [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”.

I pyetur nëse SHBA-ja do të lobojë për Kosovën për këtë anëtarësim, ai ka thënë: “Mendoj se jemi duke i vlerësuar të gjitha opsionet. Neve ende na duhet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe]. Ai është kyç”.