Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sociologu e quan dobësi shoqërore bullizimin ndaj vajzave që komentuan në anglisht këngët shqipe

Dobësi shoqërore e ka quajtur sociologu Jeton Brajshori bullizimin që iu bë dy vajzave që në një deklaratë për emisionin “Ça ka 3” në KTV u shprehën se nuk e dëgjojnë muzikën e re shqipe, por se e preferojnë të vjetrën. Përdorimi i disa shprehjeve në gjuhën angleze, u kthye në shënjestër të rrjeteve sociale që i kritikuan vajzat në videon virale.

Sipas Brajshorit, kjo tashmë është bërë dukuri negative që po shpeshtohet në shoqërinë kosovare.

“T’i paragjykojmë dy vajza të reja se çfarë zhanri muzikor dëgjojnë dhe si shprehen, tregon shumë për shoqërinë tonë. Paragjykimet janë mendime negative bazuar në bazë të një komuniteti, etnie e race. Ato u paragjykuan se thjesht shprehën dëshirën e tyre muzikore. Personalisht kur e kam pa këtë klip kam qenë i entuziazmuar se si dy vajza të reja dëgjojnë muzikë të vjetër. Jam befasuar për të mirë”, ka thënë Brajshori në emisionin “SOT” në KTV të martën.

Brajshori ka thënë tutje se secili njeri ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë me jetën e tij e të flasë si të dojë, përderisa s’kryen krim. Ai ka thënë se duhet vlerësuar vajzat që janë shprehur mendjehapur teksa është pajtuar me qëndrimin e tyre se në muzikën e sotme promovohen edhe antivlerat.

Sipas sociologut, s’është hera e parë që në rrjete sociale ka reagime të mëdha ndaj një videoje të dikujt “të butë”.

Edhe Halimi: Tallja është një luftë kolektive për komunitetin Arbëri Halimi: Tallja është një luftë kolektive për komunitetin

“S’është hera e parë. Kemi problem histerinë për çështje të vogla, për asgjë. Ka probleme pesëqind herë më të mëdha, e askush s’e ngrit zërin. Jemi të prirë të reagojmë ndaj gjërave të vogla t’i zmadhojmë, të mëdhatë s’i përmendim fare. Atakohen njerëzit origjinalë, thjeshtë të butë. Është dobësi shoqërore”, ka thënë ai duke përmendur edhe rastin e profesorit nga Vushtrria që bullizohej sepse vallëzonte në shtëpinë e tij.

Sociologu ka thënë se njerëzit duhet të kenë kujdes me komentet e tyre duke i menduar edhe pasojat që mund t’ua shkaktojnë të bullizuarve.

Jon Krasniqi, autor i emisionit, e ka quajtur të papranueshëm bullizimin në bazë të shijeve muzikore.

“S’ka qenë ai qëllimi ynë. Ka qenë krejt qëllim tjetër, që të tregojmë se si disa vajza të reja dëgjojnë këngë të vjetra shqipe, por që njerëzit ia ndërruan kahen”, ka thënë ai për videon që tashmë është bërë virale.

Edhe Opinion “Shkurorëzimi” Kurti-Osmani, psikologjia e turmës dhe egërsimi i diskursit publik në rrjetet sociale

Videoja që u bë virale: