Universiteti i Prishtinës nuk arriti ta shënojë në mënyrë të qetë 47-vjetorin e themelimit, raporton KTV.
Në momentin kur rektori Marjan Dema ka nisur fjalimin, disa studentë aktivistë të organizatës SKV-së kanë filluar të brohorasin dhe të protestojnë, sipas tyre, kundër pranisë së politikës në institucionin e dijes.
Shumë shpejt pjesëtarët e sigurisë së Rektoratit i larguan nga oborri i UP-së, por edhe aty vazhduan brohoritjet, me ç’rast Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë, ndërsa pati edhe të lënduar.
Pavarësisht zhvillimeve jashtë, brenda rektoratit në këtë përvjetor u kujtua kontributi i të gjithë profesorëve dhe studentëve që ndër vite punuan për ngritjen e cilësisë në këtë institucion.
Gjatë ceremonisë u ndanë mirënjohje për profesorë dhe studentë të dalluar të propozuar nga njësitë përkatëse akademike.
Rëndom, UP-ja përvjetorët i ka mbajtur në sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë. Sipas prorektorit për marrëdhënie ndërkombëtare Afrim Hoti lokacioni është ndërruar, për shkak se kanë gjetur një letër kërcënuese në sallën e kuqe. Për letrën Policia e Kosovës ka nisur hetimet.