Të dhëna të sakta se sa janë dëmet e shkaktuara nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk ka, raporton të shtunën Ekonomia Online.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se Serbia i ka borxh shumë Kosovës, por që sipas tyre institucionet nuk kanë punuar në këtë drejtim sa i përket grumbullimit të fakteve e argumenteve për të kërkuar reparacione.
Profesori Mazllum Baraliu në një intervistë për EO thotë se ndonëse sipas disa kalkulimeve rreth 21 miliardë euro janë llogaritur dëmet që Serbia i ka shkaktuar në Kosovë, ato janë shumë më të mëdha.
Krejt kjo ngase sipas tij, përpos vrasjeve e krimeve do të duhej të llogariteshin edhe dëmet materiale, ekonomike e pasuritë e ndryshme që kanë pasur familjet kosovare.
“Për sa i ka borxh, janë bërë disa para kalkulime më herët kur kanë pas filluar bisedat me Serbinë në Vjenë në mos gabohem por ato kalkulime kanë qenë sigurisht të pa sakta sepse diku është thënë me sa e di unë 21 miliard gjoja janë dëme të shkaktuara nga Serbia Kosovës përgjithësisht dëmet materiale pra. Mirëpo unë jam i sigurt që është shumë më tepër dhe është shumë më shumë. Do të duhej seriozisht qasur kësaj pune, asnjëherë nuk vonohen çështjet e luftës e as veprat në luftë që bëhen, pra veprat penale çfarë do qofshin ato deri në gjenocid po edhe reparacionet”, ka thënë Baraliu.
Edhe
Shifra miliardëshe dëme nga Serbia, ngriten shqetësime me çështjen e padive
Sipas tij, në mënyrë që të dihen saktë reparacionet e luftës duhet që të angazhohet ekspertë, dhe se çështja e reparacioneve të luftës të përfshihet në padinë e paralajmëruar për gjenocid ndaj Serbisë.
Por ai thotë se për të kërkuar dëmshpërblime nga shteti i Serbisë, fillimisht duhet të faktohen e dokumentohen dëmet në mënyrë që të argumentohen ato që kërkohen.
“Duhet shkencërisht, faktikisht, me faktografi profesionale dhe shkencore duhet të vërtetohet, të dëshmohet dhe të argumentohet në mënyrë që pastaj edhe ta kërkojmë. Prandaj do të duhej me një seriozitet profesional dhe shkencor për të bërë të gjitha kalkulimet dhe me rast të përgatitjes së asaj që është paralajmëruar tashmë padia për gjenocid që Serbia ka bërë në Kosovë, do të duhej të inkorporohen edhe dëmet materiale të cilat më shumë se 1 200 fshatra në Kosovë janë rrafshuar për toke. Duhet llogaritur domosdoshmërisht dëmet ekonomike, pasuritë ndryshme që kanë pasur familjet”, ka shtuar ai.
Baraliu konsideron se vetëm me presion, insistim e kushtëzim nga bashkësia ndërkombëtare Serbia do të mund të kryente këtë obligim karshi Kosovës.
Kryetari i organizatës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta ka thënë se institucionet e Kosovës janë vonuar sa i përket kalkulimit të dëmeve që i ka bërë Serbia.
Edhe
Qytetarët në pritje për kompensim, për dëmet nga përmbytjet
Ai konsideron se nuk ka pasur vullnet politik që organizata që drejtohet nga ai, e që merret me përgatitjen e padive për kompensim, të shtrihet edhe në komunat e tjera.
Bejta thotë se qytetarët e dëmtuar vijnë nga të gjitha qytetet për hartimin e padive individuale drejtuar Qeverisë së Serbisë për dëmshpërblim.
“Sa i ka Serbia, Kosovës nuk e di po e di sipas pretendimeve të tyre sa i ka Kosova borxh Serbisë. Serbia pretendon se Kosova i ka borxh 222 miliardë dollarë, por ata kanë punuar në detaje, normal që edhe i kanë zmadhuar gjërat. Mjerisht ne nuk kemi punuar sa duhet, nuk kemi bërë punë intensive, nuk kemi bërë punë gjithëpërfshirëse me i mbledh të gjitha komunat e Kosovës. Sinqerisht, institucionet e Kosovës janë vonuar në këtë drejtim. Ne me 30 shtator 2008 e kemi regjistruar subjektin të emërtuar ‘Ngritja e Zërit’. Duke mos pasur vullnet politik me u shtri në tjerat komuna, jemi me seli në Skenderaj. Ndaj, qytetarët e Kosovës të dëmtuar, gjatë luftës dhe para luftës në cilësinë e viktimave detyrohen të vijnë në Skenderaj, madje edhe disa herë duke pasur parasysh natyrën e punës që merremi me sistematizimin, grumbullimin, klasifikimin e administrimin e provave dhe hartimin e kërkesë padive individuale drejtuar Qeverisë së Serbisë për kompensim apo rimbursim dëmi”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, nuk ka përkrahje as nga Qeveria e as nga komunat sa i përket grumbullimit të fakteve, duke e cilësuar krim e përgjegjësi penale zhdukjen e provave të luftës.
Edhe
Të vrarët në luftë kanë emra, por shteti s’i di
“Nuk ka përkrahje të mirëfilltë as përpara as tash as dislokim e as shtrirje. Tri herë i kemi të gjithë kryetarëve të komunave parashtresa me kërkesë që ta japim minimumin për shtrirje të shoqatës, po nuk ka ndodh. Së fundi para 20 dite ua kam dërguar madje parashtresën me fletë-kthesë nga të gjitha komunat e Kosovës, respektivisht kryetarit. Përpos që kanë të drejtë, po kanë obligim të gjitha Qeveritë, lokale edhe kjo kulminante qendrorja kanë obligim t’i sponsorizojnë të dhënat e shënimet në të kundërtën kjo është krim, është përgjegjësi penale nëse ne lejojmë me u zhduk provat e luftës”, është shprehur ai.
Bejta ka shtuar se kanë dërguar 80 dosje në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të ligjshmërisë së vendimeve për refuzim të padive nga shkallët më të ulëta. Sipas tij, Kosova nuk ka të drejtë të padive në Gjykatën Evropiane të Strasburgut në Francë, pasi që nuk është anëtare e Këshillit të Evropës./EO