Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’ka pavijon të veçantë – vjet u vetëvritën 3 të burgosur me probleme mendore

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka shprehur shqetësimin të mërkurën për vendosjen e personave me çrregullime mendore në të njëjtin pavijon me të burgosurit e tjerë.

Gjatë publikimit të një raporti nga monitorimi i institucioneve korrektuese për vitin 2021, Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në këtë Qendër, ka paraqitur edhe statistika të vetëvrasjes së kësaj kategorie të burgosurish.

“Vitin e kaluar kemi pasur tri vetëvrasje. Të tri këto vetëvrasje kanë qenë nga persona me çrregullime mendore që për ne paraqet shqetësim e besoj edhe për institucionin e Shërbimit Korrektues dhe ministrinë e Drejtësisë paraqet shqetësim në vete”, ka thënë Rushiti.

Ndërkaq, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, u zotua për sistemim në pavijone të veçanta për këtë kategori të burgosurish.

"Ne si Ministri në bashkëpunim me Ministrin e Financave kemi ndarë buxhet për renovimin e pavionit D në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku do të sistemohen mbi 50 të dënuar të kësaj kategorie”, u shpreh Sallahu.

Në këtë ngjarje të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës është shtruar edhe problemi i ndërrimit të shpeshtë të drejtorëve në qendra korrektuese, si dhe mungesa e stafit në to.

Edhe Të burgosurit me çrregullime mendore pa vend të veçantë Arbëri Të burgosurit me çrregullime mendore pa vend të veçantë

“Në disa fusha vërehet mungesë e stafit, por një çështje duhet ta kemi parasysh si Shërbim Korrektues por edhe më gjerë sepse një numër të stafit që kemi kryesisht staf korrektues e kemi të një moshe të vjetruar, kjo ndikon në efikasitetin”, ka pohuar Ali Gashi, zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka rekomanduar që të themelohet sa më parë Njësia Ekonomike brenda Shërbimit Korrektues, me qëllimin për t’i aktivizuar të burgosurit, e edhe për t’i rritur të ardhurat e qendrave korrektuese.