Një numër i tyre që kanë kryer vepra penale, vendosen në burgje dhe në institucione korrektuese në mungesë të institucioneve të veçanta për trajtimin e tyre. Në Institutin e Psikiatrisë Forenzike kapacitetet për këtë kategori janë të limituara ndërsa as në burgje nuk ka hapësira të posaçme. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se kanë vendosur një pavijon të veçantë për këtë kategori në pavijonin D, në Dubravë dhe se akomodimi është çështje jave
Personat me çrregullime mendore në Kosovë e shkelës të ligjit, nuk kanë se ku të trajtohen për të vuajtur dënimin e tyre. Ata vendosen në burgje e qendra të paraburgimit, në mungesë të hapësirave të veçanta për trajtimin dhe menaxhimin e tyre.
Bazuar në të dhënat e Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, rreth 10 për qind e të burgosurve në burgjet dhe në qendrat korrektuese në Kosovë janë persona që kanë çrregullime psikiatrike e psikologjike.
Bazuar në legjislacion, këta persona duhet të mbahen në institucione të kujdesit shëndetësor. Sipas nenit 84, paragrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, trajtimi i detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor është masa e trajtimit të detyrueshëm të cilat mund t’i shqiptohen kryesit i cili nuk është penalisht përgjegjës, ka aftësi esencialisht të zvogëluar mendore apo është i varur nga droga ose alkooli.
Edhe kodi i procedurës penale përkufizon se “masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik” do të thotë masë e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik dhe ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor.
Por, pasi institucioni i vetëm në Kosovë për trajtimin adekuat të tyre nuk ka hapësira të mjaftueshme, ata detyrohen të vuajnë dënimin njësoj si personat e tjerë.
Nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, thonë se që nga 2019-a janë mbushur të gjithë 36 shtretërit që posedojnë dhe se aktualisht kanë 10 pacientë në listë të pritjes për trajtim të detyrueshëm me ndalim. Drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, ka thënë se kërkesat për trajtim janë të mëdha.
“Kapacitetet e limituara të Institutit të Psikiatrisë Forenzike nuk na lejojnë mundësi më të madhe të trajtimit të të gjithë nevojave dhe kërkesave. Mendoj që me vizitat ambulatore që vijnë pacientët te ne dhe me hospitalizimet afatshkurta, të njëjtët e kanë përkujdesjen e nevojshme edhe në institucione korrektuese për arsye se edhe stafi është mbështetës dhe ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin shëndetësor brenda burgjeve”, ka thënë ai.
12 shtretërit në këtë Institut janë për ekspertizë psikiatrike ligjore dhe 24 për trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim.
Vështirësitë për menaxhimin e kësaj kategorie brenda burgut i thekson edhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve në raportin vjetor të punës për 2021-n.
“Sfidë e rëndësishme në vitin 2021 mbetet numri i madh i të paraburgosurve me probleme të natyrës psikike, për të cilët gjykata ka lëshuar një urdhër për vlerësim në IPFK, por në mungesë të vendeve në IPFK mbahen nëpër qendrat e paraburgimit, duke e mbingarkuar kështu stafin shëndetësor në përgjithësi dhe stafin e shëndetit mendor në veçanti”, thuhet në raport.
Trajtimi joadekuat i këtyre rasteve po konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Fatmire Haliti ka thënë se mbajtja në burgje e këtyre personave, përveç që i cenon të drejtat tyre, rrezikon edhe sigurinë e stafit korrektues dhe të burgosurve të tjerë.
“Përkundër që e kanë një vendim të gjykatës që të mbahen në Institut të kujdesit shëndetësor, ata dërgohen në institucione korrektuese, ku janë në kundërshtim me vendimet gjyqësore. Gjatë viti 2021, kemi pasur 3 vetëvrasje që kanë ndodhur në burgje dhe këto janë bërë pikërisht nga personat me çrregullime mendore, të cilët nuk është dashur që të mbahen në këto institucione sepse vet gjendja e tyre shëndetësore nuk e lejon trajtimin dhe vendosjen në burgje, por duhet në institucione me kujdes të posaçëm”, ka thënë Haliti.
Për të zbutur në një masë këtë problematikë, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se e kanë bërë përshtatjen e pavijonit D në Dubravë për vendosjen e 60 personave të grupeve të ndjeshme. Funksionalizimin e tij e quajnë çështje javësh.
Alban Muriqi, këshilltar politik i Ministrisë së Drejtësisë, ka thënë se kanë shtuar vëmendjen për këtë kategori të shoqërisë.
“Kjo kategori do të lirohet, burgjet e tjera do të lirohen, kryesisht Dubrava nga kjo kategori e të dënuarve, pasi që ata mund të shkaktojnë probleme edhe me personat e dënuar të tjerë, të cilët nuk kanë probleme të tjera. Stafi korrektues ka shumë vështirësi për të trajtuar si duhet. Nuk kanë protokolle dhe standarde që mund t’i ndjekin për ta. Kështu që derisa janë në këto ambiente të ndara, të veçanta, ata mund të trajtohen në mënyrë më dinjitoze, më humane”, ka thënë Muriqi.
Megjithëkëtë, në pavijonin D, nuk ka hapësira të veçanta për të dënuarat e gjinisë femërore dhe të miturve.
Bazuar në raportin e tremujorit të parë të vitit 2022, 47 për qind e të gjitha shërbimeve mjekësore të ofruara në burgjet e Kosovës përbëhen nga shërbimet e shëndetit mendor.