Arbëri

Situata përkeqësohet. Qeveria vendos masa të reja. Zbatimi vetëm pas një jave

Ditën kur numri i rasteve pozitive me COVID-19 ka mbërritur vlerë katërshifrore, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për masat e reja anti-Covid. Nga data 20 gusht qytetarëve u ndalohet hyrja në ambientet ku mbahen ahengje, pa pasur certifikatën e vaksinimit me së paku një dozë, apo pa teste negative të COVID-19. E sipas disa hulumtimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, qytetarët e Kosovës ende nuk kanë mbërritur imunitet kolektiv

Është shënuar shifër rekorde me numrin e rasteve pozitive në Kosovë, të enjten, me 1,009 qytetarë të diagnostikuar me COVID-19. Krahasuar me një muaj më parë, kjo shënon rritje për 200 herë, nga 5 raste sa ishin në korrik.

Nga ky virus dy persona kanë humbur jetën e tyre gjatë 24 orëve të fundit.

Ndërkohë, Shërbimi Spitalor, Klinik, Universitar në Kosovë ka njoftuar se nga 214 pacientë që po trajtohen në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme, 147 janë të konfirmuar me koronavirus, në mesin e të cilëve 139 janë me oksigjenoterapi e 5 persona janë në gjendje të rëndë.

“Në QKUK, 96 pacientë të shtrirë, 57 prej tyre Covid-19 pozitivë, 77 me oksigjenoterapi. Në Klinikën Infektive janë 55 pacientë, në Klinikën e Pulmologjisë 38 pacientë, dhe në Klinikën e Pediatrisë janë 2 pacientë”, kanë shkruar zyrtarët e Shërbimit Spitalor në Facebook.

Për shkak të përkeqësimit të dukshëm të situatës epidemiologjike, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i ashpërsojë masat anti-COVID, duke e ndaluar hyrjen e qytetarëve në ambientet ku mbahen ahengjet pa pasur dëshmi të marrjes të së paku dozës së parë të vaksinës, apo testeve negative me COVID-19.

“Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet përveç: gjatë ecjes në ambient të jashtëm kur jemi vetëm, gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me një grup jo më shumë se katër persona, gjatë vrapimit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike, gjatë ngrënies apo pijes”, ka deklaruar të enjten ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media.

Ai ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor në Kosovë, do të shtojë kapacitetet spitalore për ta përballuar fluksin e madh të pacientëve me COVID-19 në spitale.

“Javën tjetër do të miratohet edhe strategjia e re anti-COVID, sikurse edhe udhërrëfyesi dhe protokolli klinik për COVID-19, me çka do të sigurohen edhe barnat që i parasheh ky udhërrëfyes e protokoll për pacientët me COVID-19. Kështu, pacientëve dhe familjarëve të tyre do t’u lehtësohet barra, duke mos paguar për terapitë e marra gjatë trajtimit në spitale”, ka deklaruar ministri Vitia.

Deri më tani, vetëm rreth 40 për qind e popullatës në Kosovë e ka kaluar COVID-19, bazuar në të dhënat që ka nxjerrë një hulumtim i kryer nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nga testimi i 2.239 personave në 34 komuna të Kosovës.

“Rezultatet tregojnë se vetëm 38 për qind e popullatës kanë IGG pozitive, ndryshe rezultatet tregojnë qartë se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv i kënaqshëm që duhet për t’u mbrojtur në mënyrë natyrale prej COVID-19. Andej mbetet që masa më e mirë dhe efikase në mbrojtje ndaj COVID-19 është vaksinimi masiv, që aktualisht është duke e bërë Ministria e Shëndetësisë”, ka njoftuar më detajisht drejtori i këtij Instituti, Naser Ramadani.

Ai ka bërë të ditur se grupmoshat më të prekura deri më tani nga ky virus kanë qenë 30-39 vjeç, e që nga përhapja e variantit Delta të COVID-19, grupmosha më e prekur është ajo nën 29 vjeç.

Pika tjetër e cila u diskutua në këtë mbledhje qe ajo për ndarjen e rreth 80 mijë eurosh për shtimin e 50 infermierëve në qendra të vaksinimit, të cilët do ta ndihmojnë përshpejtimin e këtij procesi për shkak të shtimit të interesimit të qytetarëve për t’u vaksinuar.

E ashpërsimin e këtyre masave e kanë “përqafuar” edhe disa qytetarë të cilët janë vaksinuar gjatë ditës së enjte.

“Që të mbyllemi tërësisht nuk e di për shkak të papunësisë, por të kemi rregulla për distancë e me maska, po”, ka deklaruar qytetarja Feride Zeka.

“Ashpërsimi duhet të vijë patjetër, por në çfarë mënyre nuk e di. Mua po më duket që janë vonuar”, ka shtuar banori i Prishtinës, Alush Ergini.

Në 24 orët e fundit janë administruar rreth 18 mijë doza të vaksinës, ndërsa që nga fillimi i procesit të vaksinimit në mars janë vaksinuar 356 mijë qytetarë me dozën e parë, dhe mbi 180 mijë me dozën e dytë.