Arbëri

Situata në veri të Kosovës “mobilizon” Perëndimin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, ka njoftuar se të hënën ka mbajtur “konsultime intensive dhe shumë thelbësore” për situatën në veri të Kosovës, me këshilltarët e lartë të liderëve evropianë dhe emisarin amerikan, Gabriel Escobar.

Në një shkrim në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me këshilltarët e liderëve francezë, gjermanë e italianë, dhe Escobarin për “hapat e ardhshëm në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe situatën në veri të Kosovës”.

“Falënderues për mbështetjen e plotë”, ka shkruar Lajçaku.

Takimi ishte paralajmëruar edhe më parë për të diskutuar ecjen përpara në dialog, por tash pas dhunës që u shfaq dje me rastin e sulmit, është vendosur që të shtohet formati dhe të diskutohet edhe për aspektet e sigurisë në Kosovë.

Po ashtu, nesër pritet që në takimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Bruksel, përfaqësues të vendeve anëtare të diskutojnë për situatën më të re në Kosovë. Burimet e BE-së kanë paralajmëruar se në ditët në vijim, i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, planifikon t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë, por aranzhimet për këtë vizitë s’janë dakorduar akoma dhe janë në përgatitje e sipër.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Të gjitha shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe kanë kërkuar që autorët të vihen para drejtësisë.