Maturi, jo spektakle e jo nguti, ka kërkuar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, nga Inspektorati Policor, në arrestimin e zyrtarëve policorë. Sipas tij, policët në Kosovë po arrestohen “në mënyrë spektakolare”, pa pasur prova fare.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Zeqiri të martën ka thënë se reagimi i Sindikatës është bërë pas vendimit të Prokurorisë Speciale, që për tre policë, të arrestuar së fundmi, kanë pushuar hetimet në mungesë provash.
“Kemi reaguar sepse nëse vetëm një polic do të jetë i pafajshëm, a duhet dikush të marrë përgjegjësinë? Tani kemi vendim që janë të pafajshëm. Kam siguruar edhe vendime të arrestimeve paraprake dhe po e them me përgjegjësi se shumica e rasteve të hetuar nga IPK-ja, shumica e tyre, më shumë se normalja, që janë të liruar pa prova dhe punojnë në punë zyrtare”, ka thënë ai duke shtuar se zyrtarët policorë po pësojnë nga njolla që u vihet. “Ka humbur imazhi i personit, i familjes, i institucionit, kur dikush arrestohet i pafajshëm. Lajm bëhet arrestimi, asnjëherë s’bëhet lajm kthimi i pafajshëm”.
Zeqiri ka thënë se një zyrtar policor nuk duhet që të arrestohet pa u kryer hetimet preliminare apo të sigurohen provat e mjaftueshme që forcojnë dyshimin e bazuar. “S’duhet të ketë arrestime spektakolare... arrestime në grup e para kamerave dhe mediave”, ka thënë ai.
Sipas tij, nga 90 zyrtarët policorë të arrestuar në 6 muajt e parë sivjet, më shumë janë të liruar se të dënuar.
“Nuk ruhet integriteti kur shumica të dalin të pafajshëm”, ka thënë ai.