Sindikata e Policisë së Kosovës e ka konsideruar të ngutshëm dhe joadekuat vendimin për suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë.
Përmes një reagimi, Sindikata ka shprehur se suspendime të tilla dëmtojnë rëndë institucionin e Policisë, gjë që konsideron se ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, duke krijuar mungesë të fuqisë punëtore në stacionet policore, si dhe në cenimin e autoritetit dhe besueshmërisë së organit të sigurisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Pa dashur të ndërhyjë në kompetencat dhe pavarësinë institucionale të Inspektoratit Policor të Kosovës, Sindikata, duke u bazuar në audio incizimin e publikuar në media dhe pas analizimit të plotë të ngjarjes, ka vlerësuar se zyrtarët policorë të suspenduar kanë kryer detyrën e tyre me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.
Sindikata ka shtuar se bazuar në të dhënat publike ka parë se zyrtarët policorë janë kërcënuar me jetë në vendin e tyre të punës, në prani të dëshmitarëve – zyrtarë policorë.
“Në audio incizim dëgjohet i dyshuari duke përcaktuar edhe kohën e mundshme të sulmit ndaj zyrtarëve policorë. Për këtë arsye, me të drejtë ai është trajtuar si i dyshuar për veprat penale të kërcënimit dhe pengimit të personit zyrtar në kryerje të detyrës, dhe me urdhër të prokurorit është caktuar masa e paraburgimit”, ka shprehur Sindikata.
Sindikata e Policisë ka ngrehur dyshimin se audio incizimi i publikuar është i shkëputur dhe jo i plotë, dhe se si i tillë nuk do të mund të konsiderohej provë ligjore në asnjë rast.
“Andaj, Sindikata e Policisë së Kosovës i bën thirrje Inspektorati Policor që të rishqyrtojë vendimin dhe të mundësojë kthimin e menjëhershëm në detyrë të zyrtarëve policorë, pasi konsideron se ata në këtë rast kanë qenë viktima të kërcënimit me jete nga i dyshuari dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, thuhet në fund të reagimit të Sindikatës së Policisë.
Të enjten me rekomandim të IPK-së janë suspenduar gjashtë policët e Gjakovës për keqpërdorim të pozitës. Rasti ka ndodhur më 19 shkurt kur një qytetar fillimisht ishte njoftuar për gjobë për parkim të veturës në vend të ndaluar. Qytetari më pas ka shkuar në stacionin policor në Gjakovë për gjobën dhe pas kontaktit me zyrtarët ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje.
Në media është publikuar një audio incizim nga rasti, për të cilin IPK-ja ka thënë se është bazuar në rekomandimin për suspendim në mes të dëshmive të tjera.