Arbëri

Sindikata kërkon shkarkimin e drejtorit të AAC-së

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil ka kërkuar shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi, meqë dy vjet rresht Kuvendi nuk e ka miratuar raportin e këtij institucioni. Sindikalistët thanë se kanë sinjalizuar institucionet me shumë shkelje që pretendohet t’i ketë kryer ai, porse as Ministria e Infrastrukturës dhe as Qeveria nuk kanë marrë ndonjë veprim deri tash.

Për shkak të mosmiratimit të raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) për dy vjet radhazi në Kuvendin e Kosovës, Sindikata e Punëtorëve të këtij institucioni ka kërkuar shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi.

Në këtë Sindikatë thanë se ka gati dy vjet që institucioneve u kanë përcjellë informacione mbi shkelje të shumta që pretendojnë se i ka bërë drejtori.

“Shoqata jonë sindikale po kërkon shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së, për shkak se ky drejtor ka dështuar që të menaxhojë Autoritetin në mënyrë objektive dhe profesionale, sepse ka dhënë inatet e veta personale me operatorët para detyrës të cilën e ka marrë, mandej ka përndjekur në mënyrë sistematike stafin e Aviacionit dhe posaçërisht ka kultivuar një kulturë ndëshkuese sidomos ndaj grave në Institucion”, ka thënë Besnike Ukmata, anëtare e Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së.

Disa nga shkeljet janë evidentuar edhe nga Komisioni Parlamentar për Buxhet, i cili nuk ka rekomanduar që raporti i Autoritetit të Aviacionit Civil të miratohet.

Armend Muja, kryetar i këtij komisioni, arsyeton votën kundër raportit.

“Arsyeja primare ka qenë që raporti nuk ka qenë në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. E dyta është shpjegimi që ne e kemi kërkuar sa u përket llogarive të arkëtueshme dhe borxheve që institucionet i detyrohen këtij institucioni nuk i kemi marrë përgjigje”, ka thënë Muja. “Për pasojë, për shkak të performancës së dobët fiskale, ne e kemi votuar kundër”.

Pas evidentimit të këtyre shkeljeve nga Komisioni, në Sindikatë thonë se ka bazë të mjaftueshme që ministri i Infrastrukturës apo Qeveria të veprojnë në përputhje me Ligjin për Aviacionin Civil.

“Para skadimit të cilitdo nga këto mandate, Qeveria mundet, me vetiniciativë ose pas propozimit të ministrit, ta shkarkojë drejtorin e përgjithshëm vetëm nëse ai/ajo: a) ka bërë shkeljen e detyrave të tij/saj profesionale”, thuhet në këtë ligj.

Por, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk i është përgjigjur Sindikatës, në kërkesën për të vepruar.

“E kemi informuar ministrin Liburn Aliu si ministër i linjës, por çuditërisht nuk e kemi marrë asnjë përgjigje prej tij. Kjo për ne ka qenë pak e pakuptimtë... Këtë heshtje drejtori jonë e ka kuptuar si tolerim dhe inkurajim për të vazhduar tutje”, ka thënë Besnike Ukmata.

Përkundër insistimit të KOHËS, për situatën e krijuar nuk është deklaruar as drejtori i Aviacionit Civil, Bujar Ejupi.