Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sindikata e Universitetit “Ukshin Hoti” alarmon për anarki, paralajmëron grevë

Prizren, 2 nëntor - Sindikata e Punëtorëve të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” përmes një komunikate për media u bën thirrje organeve drejtuese të Universitetit, dekanateve, Senatit, udhëheqësisë së administratës dhe Këshillit Drejtues, që të mos bien pre e grupacioneve minore të izoluara që po mundohen përmes intrigave të krijojnë një situatë anarkike për realizimin e interesave primitive duke bllokuar punën e Universitetit, transmeton Koha.net.

Për stafin akademik dhe punëtorët e administratës është i pranushem në pozitën e rektorit çdo profesor që i plotëson kriteret e caktuara sipas konkursit të shpallur, dhe që paraqet vullnetin e anëtarëve të Këshillit Drejtues, ndërsa linçimet janë të papranueshme.

Studentët e Universitetit gëzojnë respekt si brenda ashtu edhe jashtë dhe kanë treguar rezultate të shkëlqyera dhe nuk duhet të jenë imazhi i tyre një grup i vogël i studentëve, që nuk dihet se çka po donë, siç thuhet në komunikatë. Studentët kanë të drejtë të protestojnë për çështje të caktuara, por nuk është punë e tyre kush duhet të jetë rektori i UPZ-së.

Gjithashtu MASHT, Qeveria dhe Parlamenti duhet t’i shfrytëzojë të drejtat dhe obligimet ligjore që kanë për të zgjidhur situatën anarkike në Universitetin e Prizrenit, shton komunikata.

Ne do të kërkojmë nga Këshilli Drejtues dhe MASHT, që nëse vazhdon kjo situatë të shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme, që të zgjedhen organet e reja në të gjitha nivelet, pasi që situata në të cilën gjendet UPZ-ja është një argument se zgjedhjet e fundit nuk kanë prodhuar organe legjitime, të cilat edhe po përdhosin dinjitetin e punonjësve dhe po avancojnë joprofesionalizimin dhe injorancën, përjashtimisht.

Nëse një situatë e tillë vazhdon edhe metutje, ne do të organizojmë veprime sindikale duke hyrë edhe në grevë që nga java e ardhshme, përfundon komunikata.