Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Siguria në Ballkan, temë diskutimi e Von Cramonit me përfaqësuesit politikë

Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor pas pushtimit rus të Ukrainës ka dominuar diskutimet e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me përfaqësuesit e institucioneve.

Pasditen e së enjtes, Von Cramon është takuar me kryeministrin Albin Kurti, e që përveç zhvillimeve në Kosovë, është diskutuar edhe për situatën në Ukrainë.

E në takimin e tij me Von Cramonin, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sipas njoftimit nga zyra e tij, e ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO.

“Kryetari i Kuvendit tërhoqi vëmendjen se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar rreshtimin përkrah Perëndimit dhe përkushtimin e paluhatshëm ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike. Sipas tij, anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në BE dhe në NATO do t'i shërbente jo vetëm sigurisë rajonale dhe evropiane, por edhe asaj globale, e rrezikuar seriozisht nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës”, ka thënë Konjufca.

Von Cramon është takuar edhe me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi. E përveç për Ukrainën, sipas Abazit, me eurodeputeten kanë biseduar edhe për krizën energjetike e rritjen e çmimeve.

Edhe Viola von Cramon në Kosovë shuan shpresat për integrim të shpejtë në BE Arbëri Viola von Cramon në Kosovë shuan shpresat për integrim të shpejtë në BE

“Diskutuam për zhvillimet në Ukrainë, qëndrimet dhe veprimet e Perëndimit; krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve dhe aspekte të tjera të rritjes së mundësive për zhvillim dhe parandalim të pasojave të çrregullimit të linjave të furnizimit. Do ta vazhdojmë bisedën në Strasburg në javën e ardhshme”, ka thënë Abazi.

Një ditë më parë, raportuesja për Kosovën është takuar edhe me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, derisa të enjten ka marrë pjesë edhe në seancën ku është votuar rezoluta për Ukrainën.