Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Si u prit Viti i Ri në sheshet e kryeqytetit

Me muzikë e fishekzjarrë u festua ndërrimi i moteve në Prishtinë. Qytetarë të shumtë, të lumtur dhe me muzikë pritën ardhjen e Vitit 2019 në koncertin që komuna e Prishtinës ka organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Në sekondat e parë të vitit 2019, i gjithë qyteti u ndriçua nga fishekzjarrët e shumta dhe atmosfera që u krijua nga performanca e artistëve të njohur.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, u shpreh i lumtur me pjesëmarrjen e qytetarëve gjatë këtij organizimi, sepse, sipas tij, për dallim prej viteve tjera, këtë vit është shtuar numri i atyre që kanë festuar bashkë në shesh.

Në lidhje me shpenzimet për koncertin, Ahmeti tha se nuk ka kushtuar shumë pasi është bërë në bashkëpunim me sponsor. Ndërsa, theksoi se të hyrat janë shumë të mëdha për bizneset në afërsi.

“Sonte kemi organizuar si çdo vit tashmë tradicionalisht prite në shesh, sonte me Ledrin, Lumin B, Flaka Krelanin, Dren Abazin dhe plotë e plotë bende tjera. Ka ardhur një numër i madh i qytetarëve sivjet më shumë në ora dymbëdhjetë se viteve të kaluara, por natyrisht në 00:30 presim të vijnë më shumë qytetarë këtu, po shihet që ka filluar me u krijuar kjo që me pritë çdo herë bashkë... këta e kemi bërë në bashkëpunim dhe me sponsor, për çdo natë jemi munduar me organizuar muzikë prej orës 8 në tregun e fund vitit. Kur t’i mbledhim me krejt aktivitetet me ndriçim nuk është që na ka kushtuar shumë karshi të hyrave që janë krijuar dhe për lokalet dhe bizneset, por dhe më kryesorja që është kënaqësi për qytetarët”, ka thënë Ahmeti për KP, gjatë festimit.