Këshilli grevist i Universitet të Mitrovicës është penguar të zhvillojë procesin normal të grevës, raporton KTV.
Një ditë më parë, sekretarët e njësive kanë kërkuar nga personeli, i cili po vazhdon grevën, që t’i dorëzojnë vulat dhe librat e protokollit me qëllim që ato të përdoreshin nga kjo pjesë e Universitetit.
Kryetari i Sindikatës së Universitetit të Mitrovicës, Afrim Çela, thotë se i ka njoftuar organet tjera të sindikatës me këtë ndërhyrje, derisa këto tentativa i ka konsideruar si presion ndaj stafit që po vazhdon grevën.
Por, profesorët e këtij universiteti thonë se asgjë nuk do t’i ndalë për ta vazhduar grevën.
KTV-ja ka siguruar një email të dekanit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, Milaim Sadiku, i cili përmes tij, i ka kërkuar një kolegeje që t’i kthejë vulat. Në këtë email, Sadiku gjithashtu thekson se në rast se këto vula nuk kthehen, ai do t’i konsiderojë si tentativë për t’i keqpërdorur .
“Kohavisioni” ka kontaktuar me dekanin Sadiku, por ai nuk ka qenë i gatshëm të flasë për këtë çështje.
E para kamerës nuk kanë pranuar të japin sqarime as sekretarët e njësive.
Arjeta Alidemaj, sekretare e Njësisë së Teknologjisë Ushqimore, prapa kamerës ka pranuar se ka kërkuar nga personeli, i cili është në grevë, që t’i kthejë vulat dhe librat e protokollit.
Derisa ajo ka thënë se ka të drejtë ta bëjë këtë në rastet urgjente.
Ndërsa, Ermira Sopa, sekretare në njësinë e Gjeoshkencës ka konfirmuar se me kërkesë të dekanit ka kërkuar që të kthehen këto vula, por që sipas saj, nuk ka ndodhur.