Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, të shkarkojë stafin drejtues të Universitetit të Mitrovicës.
Ai thotë se e ka parë me shqetësim rekomandimin e grupit të ekspertëve ndërkombëtar për mbylljen e Universitetit të Mitrovicës "Isa Boletini", pasi sipas tij, Mitrovica ka shumë nevojë ta ketë universitetin e vet.
“Kërkoj nga ministri Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, që të merr veprimet dhe vendimet e nevojshme për shkarkimin e komplet stafit drejtuesit të Universitetit të Mitrovicës dhe të emëroj përkohësisht një staf drejtues me një rektor të përgjegjshëm për një periudhë kalimtare, derisa të bëhen emërimet e nevojshme sipas procedurave standarde duke respektuar kriteret më të larta, që do t'i mundësonin UMIB-it zhvillimin e punës në mënyrë të suksesshme dhe të rinjve studime të mirëfillta”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.
Ai thotë se, Universiteti i Mitrovicës ka ardhur deri në këtë gjendje pasi atë e udhëheqin njerëz jo profesional, të cilët kanë ardhur aty me ndikim të politikës.
“Pra, njerëzit që e kanë humbur pushtetin me ardhjen time në krye të komunës, kanë gjetur strehë aty dhe gjendja ku e kanë katandisur këtë universitet tashmë po shihet sa e rëndë është. Unë e kam ditur se do të vije deri te kjo gjendje, pasi që kam reaguar disa herë për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimet në UMIB, por që reagimet e mia kanë hasur në vesh të shurdhër”, ka shkruar ai.
Edhe
Lufta për rektor në UMIB: Gjykata vendos në favor të Shalës kundër Këshillit Drejtues
Bahtiri vlerëson se është momenti i fundit që MASHT të reagoj dhe të merr veprime konkrete.
“Prandaj menjëherë duhet të largohet komplet stafi drejtues me në krye rektorin aktual dhe kështu t'i hapet rrugë një menaxhmeti të dëshmuar, i cili do t'ia kthen dinjitetin Universitetit të Mitrovicës”, ka përfunduar ai.