Arbëri

Shumica e 2.600 projekteve kapitale nuk nisën të realizohen në pjesën e parë të vitit

Shumica e projekteve kapitale, për realizimin e të cilave janë ndarë mjete, nuk kanë nisur në gjysmën e parë të vitit. Bazuar në raportin financiar për këtë periudhë, pesë ministri e kanë nën tre për qind nivelin e realizimit. E, në vitin zgjedhor, përshpejtim punësh është parë në nivelin lokal

Investime në mbi 2,600 projekte kapitale janë paraparë të realizohen gjatë vitit 2025, por në më shumë se 1,500 prej tyre nuk ka nisur asnjë punë në pjesën e parë të vitit.

Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, ajo e Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Drejtësisë, si dhe ajo e Punëve të Jashtme, kanë nën tre për qind nivelin e realizimit të projekteve kapitale, tregon Raporti gjashtëmujor financiar.

Sipas drejtorit të Institutit GAP, Blendi Hasaj, kjo vë në pah planifikimin jo të duhur nga ana e institucioneve.

“I vendosin në projektbuxhet, ndajnë mjete për to, mirëpo nuk është që është mirëplanifikuar realizimi i tyre, pasi nuk është e pritshme që një projekt kapital të mos bëhet asgjë punë në të për gjashtë muaj të tërë dhe të pritet të ketë pastaj realizim. Dhe kjo është një dukuri që bëhet nga viti në vit dhe, por që nuk po shohim përmirësim pra, që të përmirësohet si praktikë, dhe të mos vendosen projekte që nuk mund të realizohen”, ka vlerësuar Hasaj.

Bazuar në raportin e Ministrisë së Financave, në gjysmën e parë të vitit u shpenzuan 243 milionë euro për investime kapitale nga 937 milionë të parapara për 2025-n, apo 26 për qind. 

Dokumenti tregon përshpejtim të realizimit të investimeve kapitale në nivelin lokal.

Sipas raportit, Komuna e Obiliqit, ajo e Deçanit, e Rahovecit, e Zveçanit, e Ferizajt dhe Komuna e Vitisë kanë nivel realizimi të projekteve kapitale mbi 80 për qind.

Hasaj ka përmendur dy arsye që ndikuan në rritjen e nivelit të realizimit të investimeve kapitale nëpër komuna, më kryesorja nga të cilat zgjedhjet lokale.

“Pasi jemi në një vit zgjedhor dhe të gjithë kryetarët tentojnë që ta kenë një dinamikë më të shpejtuar të përmbylljes së investimeve kapitale, por që edhe të vënë në pah veten e tyre që po hymë në fushatë zgjedhore, që nuk është edhe shumë korrekte, pasi që një dinamikë e tillë e përshpejtimit të punëve duhej të ishte gjatë gjithë mandatit nga kryetarët e komunave”, ka thënë ai.

Hasaj ka thënë se arsyeja e dytë ka të bëjë me shpenzimet përmbarimore nga obligimet që rrjedhin veçmas nga kontrata kolektive. Bazuar në analizën e raporteve financiare të komunave, mbi 60 për qind e buxhetit për shpenzime kapitale u janë tërhequr komunave, pas vendimeve gjyqësore.

Ani se ka një rritje të buxhetit për investime kapitale, niveli i realizimit të tyre mbetet i njëjtë me vitet e kaluara. Sipas monitoruesve, kjo ka të bëjë me mungesën e kapaciteteve të institucioneve, duke përfshirë pjesën e prokurimit, monitorimit dhe realizimit të investimeve kapitale.