Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shumë probleme për privatizimin e pronave shoqërore në veri

Shqiptarëve, të cilët po synojnë t’i privatizojnë pronat shoqërore në komunat me shumicë serbe, po iu dalin probleme, si me AKP-në ashtu edhe me komunat në fjalë, raporton KTV.

Së fundmi, një biznesmeni shqiptar, pas më shumë se 1 viti, i është kumtuar nga AKP-ja lajmi se kanë anuluar blerjen e një lokali në sheshin “Mbreti Pjetër” në Mitrovicën Veriore.

E gjatë ka qenë pritja për biznesmenin nga Mitrovica, Izet Maxhera, deri te një përgjigje.

Në fillim të vitit 2017, kur AKP-ja kishte nxjerrë në shitje disa asete, ai kishte dalë fitues si ofertuesi me çmimin më të lartë për njësinë nr.12: Lux Lokali “Nashe Dete” që është në rrugën “Mbreti Pjetër” të Mitrovicës Veriore.

Për rastin e tij, KTV-ja kishte raportuar edhe vitin e kaluar, se si Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte lënë pezull, pa vendim për aprovim apo anulim të tenderit.

Tek tani, për lokalin, i cili aktualisht është duke u shfrytëzuar si bastore, AKP-ja i ka dhënë përgjigje Maxherës, me të cilin njoftohet se shitja anulohet.

“Arsyeja e anulimit të kësaj shitjeje është se “sipas mendimit të bordit, çmimi i ofertës më të lartë nuk ka lidhje racionale me vlerën e perceptuar të subjektit të ri apo artikujve të tenderuar. Bordi në këtë rast si shtesë mund të zgjedhë shtyrjen e përcaktimit të ofertuesit fitues të përkohshëm deri në një datë të mëvonshme”.

Një arsyetim i tillë është i papranueshëm për Maxherën, sipas të cilit, anulimi ka ndodhur për shkaqe politike.

Ky nuk është problemi i vetëm i tij, pasi edhe një lokal tjetër të privatizuar nuk ka arritur asnjëherë ta regjistrojë në librat e kadastrës të komunës së Mitrovicës Veriore.

Edhe Qeveria po e përmbush Statutin e Asociacionit, pronat shoqërore të AKP-së i kalojnë Mitrovicës Veriore Arbëri Qeveria po e përmbush Statutin e Asociacionit, pronat shoqërore të AKP-së i kalojnë Mitrovicës Veriore

Edhe biznesmenë të tjerë shqiptarë që kanë privatizuar prona në veri kanë konfirmuar problemet e ngjashme, në veçanti ato me regjistrim të pronave, por që nuk kanë preferuar të flasin publikisht.

Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk i ka kthyer përgjigje KTV-së në interesimin për këtë temë.

Ndër vite, Lista Serbe kishte kushtëzuar futjen në koalicione mes tjerash me ndalimin e privatizimit të aseteve në komunat me shumicë serbe.