Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin me dy të akuzuar të moshës madhore për trafikim e shërbime seksuale të viktimës 11-vjeçare është shtyrë këtë të enjte, kanë thanë mbrojtësit e Ekrem Rexhepit dhe Shkëlqim Kamberit me të dalë nga seanca.
Sipas tyre, seanca është shtyrë për mosprecizim të aktakuzës.
“Sot seanca e shqyrtimit fillestar nuk u mbajt për shkak të paqartësive që ishin në aktakuzë. Gjykata kërkoi prej Prokurorisë që në afat sa më të shkurtër kohor t’i përmirësojë këto paqartësi që ka në aktakuzë”, ka thënë Fitim Limani, avokat i Ekrem Rexhepit.
“Edhe për të mbrojturin tim ka pasur paqartësi në dispozitiv të aktakuzës dhe gjykata pasi konstatoi ato paqartësi vendosi që seancën e sotme ta shtyjë”, ka thënë Hamdi Podvorica, avokat i Shkëlqim Kamberit.
Pa filluar seanca, mediat u lejuan të marrin pamje, porse nuk u lejuan të qëndronin në seancë, meqë kështu parashohin rregullore për rastet kur kanë të bëjnë më të mitur
Përjashtimin e mediave nga salla e miratoi gjyqtari Adnan Isufi pas konsultimit me avokatët dhe prokuroren Sheribane Selimi.
“Identiteti i së dëmtuarës do të zbulohet gjatë leximit të aktakuzës me ç’rast mund të bëhet edhe riviktimizimi i viktimës për shkak të publikimit dhe etiketimeve të ndryshme që mund të dalin në rastin konkret”, ka thënë Sheribane Selimi, prokurore e Themelores në Prishtinë.
Seanca nisi me vonesë për një orë e gjysmë. Në këtë rast Ekrem Rexhepi akuzohet për trafikim e shërbime seksuale të së miturës, ndërsa mbi Shkëlqim Kamberin rëndon akuza e shërbimeve seksuale të së miturës. Në përshkrimin e aktakuzës, thuhet se Rexhepi e ka dhunuar viktimën dhe e ka trafikuar te personat e tjerë.
Të akuzuar në bazë të aktakuzës së parë për veprat penale që dyshohet të jenë kryer në gusht të këtij viti janë pesë persona, tre prej të cilëve janë të mitur.
Dhunimi i 11-vjeçares nxiti reagime të shumta publike. Dyshohet se ajo ishin dhunuar edhe më parë dhe gjithsej për të dy rastet, të dyshuar janë 13 persona.
KOHA ka tentuar të marrë më shumë informata në lidhje me këtë seancë. Prokuroria e gjykata nuk kanë ofruar sqarime.