Arbëri

Shtyhet nisja e votimit të mërgimtarëve, shkaku i vonesave në dërgimin e fletëvotimeve

Pjesëtarë të diasporës që janë regjistruar të votojnë përmes postës nuk i kanë pranuar fletëvotimet të premten, afat të cilin e kishte vënë KQZ-ja. Shkelja e afatit ka ndodhur për shkak se procesi i shtypjes së fletëvotimeve është përmbyllur tek sot. Në shoqërinë civile thanë se vonesat e tilla mund t’ua mohojnë një pjese të diasporës që ta ushtrojnë të drejtën e votës.

Nuk ka nisur ende procesi i votimit përmes postës, i planifikuar për të premten, për shkak të vonesave në dërgimin e fletëvotimeve.

Tek më 12 dhjetor është përmbyllur shtypja e fletëvotimeve në Slloveni, të dedikuara për votuesit jashtë Kosovës.

Në KQZ thanë se janë duke u bërë përgatitjet intensive që secilit shtetas të regjistruar për të votuar përmes postës t’i dërgohet në adresë pakoja me fletëvotim. 

“Në Slloveni është përmbyllur procesi i shtypjes së fletëvotimeve për votuesit jashtë Kosovës, që i takojnë votimit me postë dhe gjatë ditës së premte (12 dhjetor) janë sjellë në Kosovë. Sipas procedurave, shërbimi votues i KQZ-së do të përgatisë pakot e veçanta për çdo votues dhe përmes kontraktorit, në fillim të javës që vjen, do t’i dërgojë në adresat e votuesve të regjistruar që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Për fuqizimin e diasporës avokon organizata “Germin”. Drejtori ekzekutiv i saj, Lirim Krasniqi, thotë se vonesat në dërgimin e fletëvotimeve mund t’ia pamundësojnë të drejtën e votës një pjese të shtetasve që jetojnë jashtë.

“Ky problem do të shkaktojë vonesa dhe një pjesë e bashkatdhetarëve mund të mos e ushtrojnë të drejtën e tyre. Sepse nëse ata nuk i pranojnë  materialet zgjedhore me kohë, afati shkurtohet dhe do të kenë shumë pak kohë për t’i plotësuar dhe për t’i kthyer me kohë. Shumica e tyre të janë regjistruar përmes postës dhe mund të ndikojë që ata të mos mund të votojnë. Kjo pamundësi nuk po vjen nga shkaktarë të tjerë por për shkak të planifikimeve që i ka bërë KQZ-ja”, ka theksuar Krasniqi.

Në total janë 55 mijë e 103 votues që janë konfirmuar nga KQZ-ja për votim përmes postës. Ndërkaq për të votuar në përfaqësi diplomatike janë regjistruar mbi 19 mijë qytetarë.

“Votimi përmes postës është me i preferuar sepse është më i lehtë. Fletëvotimi të vjen në adresë në shtëpi. Më pak i preferuar është votimi fizik në ambasada sepse në disa raste duhet të udhëtojë me qindra kilometra prandaj ka pasur më pak regjistrime për votim në përfaqësi diplomatike”, ka thënë Krasniqi. 

Në total janë 77 mijë e 85 aplikime të pranuara nga ana e KQZ-së, e të cilat janë bërë nga votues që jetojnë jashtë shtetit.