Plani evropian për dialogun e edhe marrëveshja për udhërrëfyesin mbi zbatimin e tij duhet të ratifikohen në Kuvend, ka thënë profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu. Edhe një pjesë e opozitës e ka kërkuar këtë. Por, deri tash, as kryeministri Kurti dhe as Qeveria nuk kanë treguar nëse dokumentin do ta vënë para deputetëve për miratim
Njohës të Kushtetutës e edhe një pjesë e përfaqësuesve të opozitës kanë shtruar nevojën të shtunën që Plani evropian për dialogun Kosovë-Serbi, e edhe marrëveshja potenciale për udhërrëfyesin për zbatimin e këtij plani duhet të vihen në Kuvend për ratifikim. Sipas tyre, kjo duhet të bëhet për shkakun që dokumentet adresojnë çështje të listuara në nenin 18 të Kushtetutës, e për të cilat kërkohet ratifikimi në Kuvend nga së paku dy të tretat e ligjvënësve.
Përveç në Kuvendin e Kosovës, njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se kjo marrëveshje duhet të ratifikohet edhe në Kuvendin e Serbisë në mënyrë që dokumenti ta ketë validitetin e një marrëveshjeje të njohur ndërkombëtarisht.
Mazllum Baraliu, profesor i të drejtës kushtetuese, vlerëson se ratifikimi i saj në të dyja parlamentet do të krijonte obligime për zbatim nga të dyja palët.
“Vetëm të ratifikuara në dy parlamentet, marrëveshjet e tilla, në këtë rast ky plan si marrëveshje në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në Kuvendin e Republikës së Serbisë, do të mund të dërgoheshin në OKB për t’u regjistruar atje dhe për të marrë vlerën e një marrëveshjeje ndërkombëtarisht të njohur edhe nga Kombet e Bashkuara dhe një marrëveshje e cila Serbinë do ta detyronte që të jetë e përgjegjshme dhe zbatuese në këtë marrëveshje”, ka thënë Baraliu.
Në nenin 18 të Kushtetutës theksohet se marrëveshjet ndërkombëtare për territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake duhet të bëhen me votat e dy të tretave të deputetëve.
Të hënën e shkuar, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u dakorduan në Bruksel me përmbajtjen e Planit evropian për dialogun, ndërkaq janë duke u zhvilluar bisedime edhe për udhërrëfyesin për zbatimin e tij, e i cili synohet të nënshkruhet më 18 mars në një takim mes palëve në Ohër të Maqedonisë së Veriut. E, mes të tjerash, Plani trajton çështje politike.
“Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet të vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht ato për barazinë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”, thuhet në nenin e dytë. “Në pajtueshmëri me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin secilin mospajtim mes tyre vetëm me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës”, vijohet në të tretin.
Për sjelljen e këtij dokumenti për ratifikim në Kuvend, pyetjeve të deputetëve nuk u ishte përgjigjur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në interpelancën e tij për të raportuar për dialogun që u mbajt të enjten. Njësoj, për këtë çështje pyetjeve të KOHËS nuk u janë përgjigjur as nga zyra e tij, të shtunën.
Ndërkaq, në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani kanë thënë se ajo konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë çështjet që ajo trajton preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës.
Vetëvendosje, që qeveris me vendin, e ka shumicën në Kuvend, por jo edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve.
Në opozitë kanë qëndrime të ndryshme për dokumentin.
Partia Demokratike është subjekti më i madh opozitar. Në të kanë thënë se bazuar në përmbajtjen finale të dokumentit, do të japin edhe qëndrimin pro ose kundër tij në Kuvend, porse druajnë nëse kryeministri do ta sjellë për ratifikim.
Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala thotë se është e domosdoshme që Kuvendi të japë fjalën përfundimtare nëse një marrëveshje e tillë duhet të zbatohet ose jo.
“Personalisht e kam ngritur këtë dilemë që kryeministri po tenton t’i ikë me orvatje për t’iu shmangur nenit 18 të Kushtetutës që e obligon kryeministrin që ta ratifikojë marrëveshjen e këtij tipi çfarë është aktualisht në Kuvend”, është shprehur Shala.
E në Lidhjen Demokratike kanë theksuar se nuk mbështesin asnjë marrëveshje që brenda saj nuk e përfshin njohjen reciproke Kosovë-Serbi.
Ndërsa, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti e vetme opozitare, e cila i ka dhënë mbështetje të plotë Planit evropian për dialogun, kanë theksuar se nëse vjen në Kuvend do ta mbështesin atë me një kusht.
Deputeti Shemsedin Dreshaj ka theksuar se pavarësisht se kanë kundërshtime në disa nene të Planit, brenda tij ka edhe disa nene të tjerë të rëndësishme për vendin.
“E mira e vetme që vjen nga kjo marrëveshje është që Kosova njëherë e përgjithmonë e ndan rrugën e udhëtimit drejt integrimeve euroatlantike prej Serbisë... Çdo marrëveshje e cila e ndan Kosovën nga Serbia, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta mbështesë”, ka thënë Dreshaj.
Përveç vështirësive të zbatimit të marrëveshjes në Kosovë, ato në Serbi vlerësohet të jenë më të mëdha.
Profesori Mazllum Baraliu thotë se tashmë ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për një marrëveshje të mëhershme me Kosovën, në të cilin thuhet se nuk njihen të vlefshme marrëveshjet që Serbia i lidh me pjesë të territorit të saj, ashtu siç e konsideron Kosovën Serbia në Kushtetutën e saj.
“Sa i përket Serbisë është çështje e saj, por Serbia nuk dëshiron ta ratifikojë. Serbia marrëveshjen e prillit të 2013, që ka qenë një këso marrëveshje e ashtuquajtur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, e ka dërguar në Parlament, e Parlamenti nuk e ka ratifikuar. Kanë kërkuar mendimin e Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka shpallur akt inekzistent sepse nuk mund të lidhet marrëveshje, ka konsideruar gjykata e shtetit, me një pjesë të territorit, sepse Kosova fatkeqësisht ende është në preambulën e Kushtetutës së Serbisë si pjesë përbërëse e shtetit serb”, ka deklaruar Baraliu.
Bashkimi Evropian që e lehtëson dialogun Kosovë-Serbi ka shprehur pritjen që palët më 18 mars të arrijnë marrëveshje për udhërrëfyesin për zbatimin e Planit evropian.