Disa shtete të rajonit kanë regjistruar shifra rekorde të rasteve të reja me koronavirus të mërkurën.
Shqipëria ka regjistruar për herë të parë më shumë se 200 raste në një ditë. Të mërkurën u regjistruan 203 raste të reja pozitive, ndërsa u shënuan pesë vdekje. Në përgjithësi, Shqipëria ka 15,955 raste pozitive deri tash.
Pos Shqipërisë, edhe Kroacia ka regjistruar rekord rastesh. Në Kroaci janë regjistruar 748 raste të reja, duke shënuar rritje larg nga rekordi i fundit, që ishte 542, e që u regjistrua një javë më herët. Aktualisht në Kroaci janë 3210 raste aktive. Në vend janë regjistruar 334 vdekje si pasojë e koronavirusit. 21741 raste janë regjistruar në përgjithësi deri tash.
Vendi fqinj i Kroacisë, Sllovenia, me rreth dy milionë banorë, po ashtu ka regjistruar ditë rekorde të mërkurën, me 707 raste të reja.
Bosnja ka regjistruar 482 raste të reja e 11 vdekje, duke shënuar ditë rekord me raste të reja. Deri tash në këtë vend janë regjistruar 31 mijë e 655 raste pozitive, ndërsa kanë vdekur 958 persona.
Ditët e fundit, trendi i rritjes së rasteve ka ndjekur shumicën e vendeve të rajonit.
Në Kosovë, shifrat kanë nisur të rriten, me të martën që regjistroi 98 raste e të mërkurën 80 si ndër ditët më të rënda javëve të fundit. Numri total i rasteve pozitive është 16 mijë e 425 raste. 650 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19.
Edhe
Rritet numri i rasteve me COVID-19 në vendet e rajonit
Maqedonia po ashtu javëve të fundit ka regjistruar shifra të larta. Deri tash në Maqedoni të Veriut janë regjistruar 21193 raste pozitive. 800 persona kanë vdekur.
Në Mal të Zi të mërkurën janë regjistruar 193 raste të reja, duke e çuar totalin në 14461. 217 është numri i të vdekurve.
Në Serbi, numri i të vdekurve është 768. Deri tash aty janë regjistruar më shumë se 35 mijë raste pozitive.