E greva në arsim edhe po të ndërpritej tash nxënësit e shkollës “Iliria” në Prishtinë nuk do të mund t’i ndiqnin mësimet në objektin e shkollës, pasi aty ende po vazhdojnë punimet për rinovim. Punimet e filluara në muajin qershor, sipas udhëheqjes së shkollës, pritet të përfundojnë pas dy javësh. Vonesat në punime janë shkaktuar për shkak të procedurave të prokurimit. Në këtë shkollë kanë treguar se në rast se ndërpritet greva e mësimdhënësve, procesi mësimor do të zhvillohet online.
Rinovimet në shkollën fillore “Iliria” në kryeqytet ende nuk kanë përfunduar.
Punimet që kishin filluar që në qershor, e të parapara të përfundonin më 5 shtator, do të zgjasin edhe dy javë të tjera.
Sipas drejtoreshës së shkollës, Remzije Racaj, vonesat kanë ndodhur si shkak i nevojës për rinovimin e dyshemeve.
E në rast të ndërprerjes së grevës, në të cilën mësimdhënësit kanë hyrë që nga 25 gushti, procesi mësimor në këtë shkollë do të kalojë online.
Kryetarja e Këshillit të Prindërve të shkollës, Nafije Gashi, ka thënë se shpreson që punimet të përfundojnë sa më shpejt që mësimi të mbahet fizikisht.
"Ne jemi njoftuar nga Drejtoria e Shkollës në kuadër të një takimi për Këshillin e Prindërve, jemi njoftuar që rinovimet do të zgjasin disa ditë edhe nëse greva përfundohet, atëherë shkolla do të shkojë në sistemin online. Sa është praktik është dëshmuar deri më tani në dy vjet që është parë, nuk është praktik, por nëse e peshojmë me investimin e madh që po bëhet në shkollë, atëherë do të kishte me qenë diçka e përballueshme për ne si prindër, duke e ditur se nxënësit do të vijnë në një shkollë të rinovuar tërësisht", ka thënë Gashi.
Gashi, e cila ka dy fëmijë që e vijojnë mësimin në këtë institucion, ka thënë se janë njoftuar se vonesat kanë qenë për shkak të procedurave të prokurimit.
"Rinovimet kanë filluar qysh në qershor nga Ndërmarrja Publike Banesore, të cilët kanë punuar me një kapacitet relativisht të plotë dhe të mirë, ndërsa më 29 gusht është nënshkruar kontrata për rinovimin e dyshemeve të cilat do të punohen me epokside, meqenëse procedurat e prokurimit kanë qenë të tilla që kontrata për dyshemetë të nënshkruhej më 29 gusht, kjo nuk lë shumë hapësirë që të krijohen rinovimet edhe më shpejt", ka shtuar ajo.
Në Ndërmarrjen Publike Banesore kanë thënë se punimet për të cilat kjo ndërmarrje është kontraktuar i ka përfunduar.
“Ndërmarrja Publike Banesore i ka përfunduar pothuajse të gjitha punimet për të cilat ka qenë e kontraktuar. Kanë mbetur vetëm disa detaje, të cilat nuk e pengojnë procesin mësimor. Për shtrimin e dyshemeve është kontraktuar një kompani private, e cila për shkak të vonesave të prokurimit nuk ka mundur t’i fillojë më herët punët”, ka thënë Drilon Pireva, Ndërmarrja Publike Banesore.
Sipas prindërve dhe banorëve të kësaj lagjeje, që nga ndërtimi i kësaj shkolle në vitin 1986, vetëm dritaret e objektit janë ndërruar.