Nga 1 shtatori shtatë shkolla të Komunës së Prishtinës parashihet që ta nisin zbatimin e mësimit tërëditor. Tek kanë mbetur edhe pesë ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, në Drejtorinë e Arsimit thanë se përgatitjet për këtë model mësimor janë në fazën përfundimtare. Por pranojnë se në njërën prej shkollave punimet mund ta shtyjnë nisjen e vitit shkollor
Vendosja e inventarit pritet t’ia japë pamjen e kuzhinës kësaj klase në shkollën fillore “Ditët e Minatorit” në Kishnicë të Prishtinës.
Punimet janë pjesë e planit për nisjen e mësimit tërëditor në këtë shkollë, nga 1 shtatori, kur edhe fillon viti i ri shkollor.
Drejtori i shkollës, Vezir Bytyqi, thotë se aktualisht janë duke u bërë përgatitjet e fundit që nxënës të parafillores dhe të klasave nga e para deri në të nëntën t’i kenë gati ambientet për këtë model mësimor.
“Në shkollën tonë është planifikuar që mësimi tërëditor për nivelin e mesëm të ulët d.m.th. klasat 6-9 të organizohen në klube dhe në grupe. Kemi arritur që së bashku me mësimdhënësit t’i formojmë të gjitha ato grupe dhe të bëjmë planifikime vjetore dhe mujore për të qenë më të përgatitur nga 1 shtatori”, ka deklaruar Vezir Bytyqi, drejtor i shkollës “Ditët e Minatorit” në fshatin Kishnicë.
Krahas shkollës “Ditët e Minatorit”, mësimi tërëditor sivjet do të zbatohet edhe në gjashtë të tjera – në “Pjetër Bogdani” dhe “Zenel Hajdini” në Prishtinë, si dhe në shkollat “Teuta”, “Ganimete Tërbeshi”, “Avni Rrustemi” e “Ali Kelmendi” nëpër fshatrat e komunës.
Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet infrastrukturore për zbatimin e modelit, por pranon që jo të gjitha shkollat do të jenë gati për të nisur mësimin më 1 shtator.
“Deri në fund të javës po synojmë të finalizojmë punimet edhe në shkollën ‘Zenel Hajdini’, për shkak se është renovimi i thellë i shkollës dhe ka ende punime që nuk janë përfunduar, ka mundësi të vonohet pjesa e fillimit të procesit mësimor në një javë maksimalisht. Në ‘Pjetër Bogdan’ e kemi të gatshme, jemi duke finalizuar pjesën e hapësirës, ku shërbehet ushqimi, mirëpo shkolla është në gjendje të mirë”, ka bërë të ditur Shahini.
Ai tregoi se si do të zbatohet procesi nëpër shkolla.
“Në shkollat e fshatrave Grashticë, Marmur dhe në Llukar, i kemi objekte të mëdha të cilat mund të ndahen me kate, shërbimi i ushqimit do të vlejë për të gjitha klasat. Ndërsa në qytet, në ‘Pjetër Bogdani’ dhe ‘Zenel Hajdini’ janë të kombinuara, p.sh. shkolla ‘Zenel Hajdini’ me shkollën ‘Asim Vokshi’, cikli 6-9 kalon komplet nga shkolla ‘Zenel Hajdini’ në shkollën ‘Asim Vokshi’ dhe anasjelltas, cikli 1-5 nga ‘Asim Vokshi’ nxënësit kalojnë në shkollën ‘Zenel Hajdini’”.
Nisjen e mësimit tërëditor edhe në tri shkolla të tjera të Prishtinës e pati paralajmëruar vitin e shkuar ushtruesja e atëhershme e detyrës së drejtores së Arsimit, Jehona Lushaku. Por drejtues të shkollave “Xhavit Ahmeti”, “Gjergj Fishta” e “Shkëndija” konfirmuan se këtë vit nuk janë bërë përgatitjet për këtë.
Nga 1 shtatori i vitit të shkuar, në mësim gjithëditor kaluan pesë shkolla të kryeqytetit: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Nazim Gafurri”, “Qamil Batalli”, si dhe “Shkolla e Gjelbër”.