Arbëri

Nis mësimi gjithëditor edhe në dy shkolla të Prishtinës, njëra nuk është sërish e gatshme

Edhe në dy shkolla të kryeqytetit të hënën ka nisur mësimi tërëditor, teksa për një tjetër ky proces u shty sërish. Sipas nënkryetares së Prishtinës, Jehona Lushaku, nxënësit e shkollës “Nazim Gafurri” do të fillojnë mbajtjen e mësimit tërëditor pas një jave, meqë punimet në kuzhinë nuk kanë përfunduar ende. E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nisjen e mësimit tërëditor e quajti transformim të sistemit arsimor

Nxënësit e shkollës “Nazim Gafurri” të Prishtinës as këtë të hënë nuk filluan procesin e mësimit tërëditor.

Mospërfundimi i punimeve në hapësirat e kuzhinës është bërë shkas, sipas nënkryetares së Prishtinës, Jehona Lushaku, për mosnisjen e mësimit gjithëditor në këtë shkollë. 

Sipas saj, gjithçka do të jetë gati për javën e ardhshme.

“Kanë qenë të planifikuar që të nisin tri, por shtrimi i pllakës ka pasur nevojë që të teret ka pasë një lloj lagështie për shkak të reshjeve por i kemi jep kohë e kemi bërë bashkarish vendimin me prindërit e shkollës ‘Nazim Gafurri’ kështu që nuk ka asnjë problem pasi sot një javë fillon mësimin tërë ditor edhe shkolla ‘Nazim Gafurri’”, tha Lushaku-Sadriu. 

Mësimi tërëditor zhvillohet vetëm për nxënësit e nivelit fillor. “Shkolla e Gjelbër” dhe shkolla “Qamil Batalli” kanë filluar me këtë proces në fillim të shtatorit, e të hënën filluan edhe shkollat “Faik Konica” dhe “Xhemail Mustafa”.

Në ditën e parë të zhvillimit të mësimit tërëditor këtyre dy shkollave për vizitë u shkoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Pas vizitës ai tha se Komuna që udhëheq ka bërë transformim në sistemin arsimor. 

“Ishte një atmosferë fantastike, të gjithë nxënësit ishin të entuziazmuar dhe shpresoj tash shpejt që të vazhdojmë tash edhe në tërë territorin e Prishtinës, planifikimet vetëm se i kemi bërë por normal që na duhen investime të tjera për shkolla të reja. Mësimin digjital tashmë e kemi të gatshëm por ashtu edh jemi zotuar që t’i kenë edhe tabelat smart, pra jam shumë optimist që transformimi në arsim në shkolla fillore dhe të mesme do të jetë një element që do e marr gjithë Kosova”, tha Rama. 

Sipas raportit të Institutit GAP, që monitoron përmbushjen e premtimeve të kryetarëve, Komuna e Prishtinës ka realizuar pesë nga 23 premtime në sektorin e arsimit.