Liderë e mbretër nga e gjithë bota, aristokratë britanikë e yje me famë botërore kanë përcjellë nga afër të shtunën kurorëzimin e Mbretit të Mbretërisë së Bashkuar, Charles III. Por në ceremoninë e zhvilluar në rituale të lashta e me audiencë nga e gjithë bota, i pranishëm ishte një shqiptar nga Prishtina. Bëhet fjalë për Leon Mustafën, që është pjesë e mbrojtjes së afërt të Nicholas Lyons, kryebashkiakut të Qytetit të Londrës.
Në ceremoninë në Westminster Abbey të Londrës, Mustafa ka shoqëruar Lyonsin në momentet kryesore. Në një deklaratë për KOHËN, Mustafa ka treguar rolin e tij të shtunën dhe në përditshmëri si pjesë e kabinetit.
“Si shofer-mbrojtës i ngushtë për kryebashkiakun e Qytetit të Londrës, përgjegjësia ime kryesore është të garantoj sigurinë e tij gjatë aktiviteteve të përditshme, të cilat shpesh përfshijnë takime me liderë të shteteve dhe anëtarë të familjes mbretërore. Kryebashkiaku është figurë kyçe për Korporatën e Qytetit të Londrës, dhe më është besuar që ta siguroj funksionimin e orarit të tij pa probleme dhe që ai të jetë në gjendje t’i kryejë detyrat si ambasador ndërkombëtar për sektorin e shërbimeve financiare dhe profesionale të Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë Mustafa.
Mustafa kryen këtë detyrë që nga viti 2017.
Kryebashkiaku i Qytetit të Londrës është udhëheqës i qendrës së qytetit, si një nga 23 bashkitë e Londrës. Ai zgjidhet çdo vit dhe ka rol kryesor në çështjen e financave të Londrës. Ndërkaq kryetar i Londrës është Sadiq Khan. Rolet e tyre plotësojnë njëri-tjetrin, ndërsa në botë shpeshherë ngatërrohen.

Në ceremoninë e së shtunës në Londër pjesëmarrëse ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.