Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shqipëria, shtegu i ri i emigrantëve që synojnë Evropën

Greqia në vitet e fundit ka shërbyer si rrugë transit për emigrantët që ia mësynin Evropës, mirëpo në muajt e fundit shtegu i tyre drejt një jete më të mirë ka ndryshuar. Në një hulumtim nga terreni, agjencia e lajmeve “Associated Press” ka bërë të ditur se Shqipëria dalëngadalë po bëhet rrugë transite për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Dhjetëra emigrantë po presin në fshatin Ieropigi të Selanikut për të kaluar në Shqipëri. Shumica prej tyre thonë se do të kalojnë vetëm ose do të paguajnë trafikantët. Njëri prej emigrantëve ka thënë se trafikantët i kanë kërkuar 2 mijë e 200 euro për të arritur në afërsi të një fshati grek, në kufi me Shqipërinë.

Shumica e emigrantëve kanë thënë se pas Shqipërisë do të marrin rrugën drejt Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës apo Italisë.

“Associated Press” ka kujtuar edhe kohën kur në fillim të viteve ’90, me mijëra shqiptarë ia kishin mësyrë Greqisë pas rënies së komunizmit në Shqipëri.

Agjencia e lajmeve shkruan se pas 30 vjetësh, situata ka ndryshuar. Ani pse me numër më të vogël, emigrantët tani ia mësyjnë Shqipërisë, porse ata tani vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Emigrantët apo refugjatët që nuk duan të qëndrojnë në Greqi kanë disa mundësi, të gjitha ilegale: Udhëtimi me kamionë ose falsifikimi i dokumenteve për anijen drejt Italisë apo fluturimet për në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut. Por Bullgaria po cilësohet si vend shumë i rrezikshëm, përderisa Maqedonia e Veriut ka ashpërsuar kontrollet kufitare.

Edhe Bien për 30% kalimet e parregullta të emigrantëve në Evropë Botë Bien për 30% kalimet e parregullta të emigrantëve në Evropë

Ministria e Punëve të Brendshme në Shqipëri ka njoftuar se është duke bërë të pamundurën për t’i luftuar grupet e krimit të organizuar që po ndihmojnë në trafikimin e emigrantëve.

Vetëm sivjet, Shqipëria ka arrestuar një numër të madh trafikantësh.