Mbërritja e sistemeve Javelin në Shqipëri, falë bashkëpunimit me aleatin strategjik, SHBA, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura shqiptare.
Gjatë një vizite në një nga bazat e Forcave të Armatosura, ku u bë pritja e dërgesës së parë të këtyre sistemeve, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u shpreh se arritja e sistemeve antitank Javelin, përbën hap të rëndësishëm në forcimin e aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke rritur parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare, shkruan ATSH-ja.
Ministri bëri të ditur se sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve të lëshimit Javelin dhe raketave përkatëse.
Sipas tij, kjo dërgesë është pjesë e një procesi të planifikuar, ndërsa faza e dytë e furnizimit pritet gjatë vitit 2026.
Vengu theksoi se kjo ndihmë dhe ky bashkëpunim bilateral me SHBA-në përfshin jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të këtij programi për sigurinë rajonale.
Sipas tij, bëhet fjalë për realizimin e një kërkese të hershme, e cila tashmë po konkretizohet me pajisje moderne antitank të standardeve më të larta.
Ministri vuri theksin edhe te roli kyç i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, i cili mbetet themelor në ndërtimin dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Edhe
Rama publikon pamje nga testimi i mjeteve të para ushtarake të prodhuara në Shqipëri
Një aspekt tjetër i rëndësishëm, sipas tij, lidhet me aftësimin dhe trajnimin e personelit luftarak për përdorimin e pajisjeve dhe teknologjive të përditësuara.
Gjithashtu, Vengu falënderoi për masat e marra në drejtim të infrastrukturës pritëse, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e punës ka qenë e fokusuar te përmirësimi i kushteve të punës dhe krijimi i standardeve të nevojshme për vendosjen dhe operimin e këtyre sistemeve.
“Nëpërmjet dërgesës së parë të sistemeve Javelin dhe asaj të dytë që pritet në vitin 2026, synojmë certifikimin e plotë të një grup-batalioni, duke rritur ndjeshëm gatishmërinë dhe efektivitetin operacional të Forcave tona të Armatosura”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.
-
REL: SHBA-ja i jep dritën e gjelbër armatimit për Kosovën me vlerë prej 14 milionë dollarësh
-
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do ta zhvillojnë stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake
-
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë: Për bashkëpunim ushtarak, nuk kemi nevojë t’i marrim leje askujt
-
Maqedonci: Sistemi OMTAS është i dizajnuar kundër tankeve moderne