Shqipëria feston sot 105-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa shqiptarët jashtë shtetit administrativ – Ditën e Flamurit.
Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Qyteti i flamurit, Vlora, do të jetë sot epiqendra e festimeve në 105- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në shenjë simbolike me rastin e Festës Kombëtare të Pavarësisë në Vlorë do të vijojë sot dita e dytë e mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë.

Axhenda e aktiviteteve për festën e Flamurit parashikon ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar dhe homazheve në monumentin e Atit të Pavarësisë, Ismail Qemal bej Vlorës në orën 12:00, ndërsa në orën 12.30, do të bëhet shpallja e logos zyrtare të Vitit të Skënderbeut.
Ndërsa në Tiranë, me rastin e Ditës së Pavarësisë, në orën 10.00, zhvillohet ceremonia e vendosjes së kurorave pranë Monumentit të Pavarësisë.
Në orën 11.00, ngritja e Flamurit në Sheshin Skënderbej, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë,Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.
Po ashtu , u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Më 28 nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.
Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar.