Arbëri

Shqipëria dislokon Forcat e Armatosura në Kukës, gati ndihma për Kosovën

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka bërë të ditur të premten se kanë dislokuar forcat dhe mjetet të Forcave të Armatosura në Kukës, për të qenë në gjendje gatishmërie në rast se përkeqësohet gjendja e vërshimeve në Kosovë.

“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit”, ka shkruar Peleshi në Facebook, bashkangjitur me një video.

“Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës. Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira”, ka shkruar ai.

Reagim pati edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rama, që ka bashkangjitur videon e mjeteve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ka shkruar se “ata janë gati për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur shumë rëndë nga përmbytjet, si pasojë e reshjeve të jashtëzakonshme”.