Pesë muaj para shënimit të përvjetorit të 16-të të Pavarësisë, sovraniteti i Kosovës u cenua nga sulmi paraushtarak serb në fshatin Banjskë. Në polici thonë se profesionalizmi i treguar gjatë kësaj përballjeje agresioni, e ka nxjerrë Kosovën faqebardhë
Në fshatin e vogël pranë kufirit me Serbinë, ruhen të gjalla gjurmët e vendosmërisë për ta ruajtur integritetin territorial që Kosovës iu cenua shtatorin e vjetëm.
Njësitë elite të Policisë arritën ta ndalin në Banjskë të Zveçanit, planin për aneksim të veriut. Në përballje me pjesëtarët e grupit paraushtarak serb, u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Në vendin e rënies së tij, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, thotë se është krenar me Bunjakun e intervenimin e bërë.
“Kemi dalë faqebardhë, sepse nuk ka pasur viktima në fshat këtu, në fshatin Banjskë. Nuk ka pas viktima, nuk ka pasur dëme... Ka qenë mahnitëse dhe kjo është për shkak të profesionalizimit të policëve, pajisjeve dhe dedikimit që ata e kanë pasur”, ka thënë Elshani.
Gjatë kundërpërgjigjes në Banjskë, Policia arriti t’i vrasë 3 nga më shumë se 40 anëtarët e grupit paraushtarak serb, dy i kapi gjatë aksionit e një më vonë. Të tjerët ikën për në Serbi.
Prej atëherë, janë ndërmarrë shumë aksione grumbullimi armësh. Vetëm në Banjskë, vlera e armatimit të kapur ka qenë rreth 5 milionë euro.
Elshani thotë se situata në veri nuk ka qenë më e menaxhueshme sesa që është tani në 16-vjetorin e pavarësisë.
“Unë mund të them se ka dallime drastike. Ne jemi gjithkund, në secilin vend. Ju shihni polici, shihni patrulla të rregullta të policisë, të Njësisë Speciale, Policisë Kufitare... dhe kjo është vetëm njëra nga zonat”, thotë ai.
Në katër komunat e veriut, është kundërshtuar shtetësia e Kosovës. Serbia vazhdon t’i mbajë strukturat e veta në këtë pjesë. Autoritetet në Prishtinë kanë theksuar se çdo vit, Beogradi zyrtar investon rreth 200 milionë euro te këto struktura, mes të cilave edhe të armatosura.
Elshani thotë se territori i gjerë e malor në veriun e Kosovës krijon vështirësi në menaxhimin e zonës, e për të cilën thotë se nevojitet planifikim, dedikim dhe përkushtim në punë.
“Ne të gjitha këto i kemi. Policia është duke e kryer një punë shumë të mirë. Sidoqoftë, unë konsideroj se nuk është çdo gjë që varet nga Policia e Kosovës”, thotë ai derisa përmend nevojën për shtrirjen sa më të madhe edhe të institucioneve të tjera, në mënyrë që të lehtësohet më tutje jetesa e qytetarëve. “Ne kemi nevojë që të kemi shtrirje të institucioneve të tjera në veri të vendit, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi ta mbajnë veten, t’i kenë të gjitha shërbimet, sikurse në Prizren ose Prishtinë”.
Pesë muaj nga sulmi në Banjskë, i lirë në Serbi vazhdon të endet organizatori i aksionit, Milan Radojçiq. Autoritetet e Kosovës kanë prezantuar identitetin e më shumë se 40 serbëve, që dyshohet se kanë marrë pjesë në sulmin që për synim kishte aneksimin e veriut nga Serbia.
Deri më tani, hetimet e zhvilluara për atë që ka ndodhur më 24 shtator, nuk janë konkretizuar me ndonjë aktakuzë nga organet e hetuesisë, ndërsa një ditë më parë autoritetet theksuan se të gjithë të identifikuarit tanimë figurojnë të kërkuar nga Interpoli.